
Reshjet e dendura rrisin rrezikun, vijojnë evakuimet në disa zona të Vlorës
Reshjet e dendura të shiut kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të ujit, i cili ka kaluar mbi urën e vjetër të Mifolit, duke e bërë të rrezikshëm qarkullimin në këtë aks.
Për shkak të situatës problematike, Policia e Shtetit ka ndaluar lëvizjen e mjeteve dhe këmbësorëve mbi urë, si masë sigurie për të shmangur çdo rrezik për jetën e qytetarëve.
Ndërkohë, situata vijon të mbetet shqetësuese në disa zona të tjera. Strukturat e Emergjencës Civile kanë urdhëruar më herët evakuimin e banorëve në Novoselë, Ferras dhe Katund i Ri, për shkak të rrezikut nga përmbytjet.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet e panevojshme, të ndjekin udhëzimet zyrtare dhe të bashkëpunojnë me strukturat në terren deri në përmirësimin e situatës.
