
Ngjarja e rëndë ndodhi në një zonë të thellë malore pranë Colorado Springs, autoritetet po hetojnë rrethanat
Një ngjarje tragjike është regjistruar në shtetin amerikan të Kolorados, ku një grua ka humbur jetën pasi dyshohet se është sulmuar për vdekje nga një luan mali gjatë një ecjeje në natyrë.
Sipas autoriteteve të Colorado Parks and Wildlife, trupi i gruas u zbulua të enjten në një zonë të izoluar malore pranë Colorado Springs. Dy alpinistë që po kalonin në atë zonë kanë gjetur grabitqarin duke qëndruar pranë trupit të pajetë të viktimës.
Dëshmitarët kanë tentuar ta largojnë luanin e malit duke i hedhur gurë, ndërsa më pas kanë provuar t’i japin ndihmë gruas. Njëri prej tyre, i cili ishte mjek, ka konstatuar se ajo nuk kishte puls. Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e mbrojtjes së faunës së egër.
Autoritetet bënë me dije se pas incidentit janë neutralizuar dy luanë mali në zonë, si masë sigurie për publikun. Identiteti i viktimës nuk është bërë ende publik, ndërsa hetimet janë në vijim për të konfirmuar plotësisht shkaqet dhe rrethanat e ngjarjes.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal dhe ka rikthyer vëmendjen mbi rreziqet që mund të paraqesë fauna e egër gjatë aktiviteteve në natyrë, veçanërisht në zona të thella malore. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë ecjeve dhe aventurave në habitatet e kafshëve të egra.
