Në Francë, rreth 66 mijë njerëz jetojnë falë një transplanti organesh. Ndër ta, Justine përfaqëson një rast unik një vajzë që pas një transplanti zemre jo vetëm rifitoi jetën, por dhuroi jetë.
Në një reportazh të transmetuar nga TF1, Justine, e cila mori një zemër të re në moshën 17-vjeçare, rrëfen historinë e saj të jashtëzakonshme. Dhjetë vjet pas operacionit që i shpëtoi jetën, ajo solli në jetë djalin e saj, Louis. “Transplanti ishte tashmë një mrekulli, por fakti që munda të bëhem nënë dhjetë vjet më vonë është një mrekulli e dytë,” tha ajo.
Për të mbetur shtatzënë, Justine u detyrua të ndalonte disa ilaçe kundër refuzimit të organit, gjë që solli pas lindjes komplikime të rënda kardiake. Falë ndërhyrjes së mjekëve, ajo arriti të stabilizohej, por sot përballet me probleme serioze në veshka. “Ajo është një luftëtare,” rrëfen bashkëshorti i saj, “ka kaluar sprova që do ta rrëzonin këdo tjetër.”
Sot, nëna e re jeton me kujdes të përditshëm mjekësor dhe merr mbi pesëmbëdhjetë ilaçe në ditë për të ruajtur funksionimin e zemrës së saj të transplantuar. Ajo e di se organet e transplantuara kanë jetëgjatësi të kufizuar, zakonisht 15 deri në 20 vjet, por mbetet optimiste. “Kam kaluar 13 vjet me këtë zemër dhe ndiej se mund të vazhdoj shumë gjatë. Ka njerëz që jetojnë më shumë se 30 vjet me zemër të re, pse jo edhe unë?”
Historia e saj përkon me ndryshimet në ligjin francez për dhurimin e organeve, ku çdo person konsiderohet automatikisht dhurues nëse nuk ka deklaruar refuzimin.
Në të njëjtin reportazh, një tjetër pacient, Pierre, i transplantuar në mushkëri, rrëfeu betejën e tij të gjatë me sëmundjen. Pas muajsh në koma dhe dy vitesh në spital, ai sot ndihmon vullnetarisht pacientë të tjerë që presin një transplant. “E bëj sepse do të kisha dashur që dikush ta bënte për mua,” tha ai.

Të dy, Justine dhe Pierre, dëshmojnë se shkenca mund të shpëtojë trupin, por është forca e shpirtit ajo që e bën jetën të rifillojë.
