
Frikë për ekzekutime masive në Iran, tregtari i ri akuzohet për pjesëmarrje në protesta dhe përballet me varje pa gjyq dhe pa avokat
Një tregtar rrobash 26-vjeçar pritet të jetë viktima e parë e një vale ekzekutimesh që po frikëson Iranin, ndërsa regjimi në Teheran ashpërson reagimin ndaj protestave mbarëkombëtare. Erfan Soltani është arrestuar në shtëpinë e tij në Fardis, në Iranin qendror, dhe sipas organizatave të të drejtave të njeriut do të ekzekutohet me varje, pasi iu dhanë vetëm dhjetë minuta për t’u përshëndetur me familjen.
Sipas burimeve të pavarura, i riu nuk ka pasur qasje në avokat dhe familjarët e tij nuk janë në dijeni të zhvillimit të ndonjë gjyqi formal. Arrestimi i tij lidhet me pjesëmarrjen e dyshuar në protestat antiqeveritare që kanë shpërthyer në të gjithë vendin gjatë dy javëve të fundit.
Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se rasti i Soltanit mund të jetë vetëm fillimi i një serie ekzekutimesh, ndërsa autoritetet iraniane po përdorin dënimin me vdekje si mjet frikësimi. Përfaqësues të shoqërisë civile raportojnë se procedurat po përshpejtohen në mënyrë alarmante, duke anashkaluar çdo standard ligjor.
Ndërkohë, zyrtarë iranianë kanë pranuar se të paktën 2 mijë persona kanë humbur jetën gjatë përleshjeve dhe represionit ndaj protestave, ndërsa dëshmitarë flasin për rrugë të mbushura me gjak, të shtëna me municion luftarak dhe trupa të transportuar me kamionë.
Protestat janë përhapur në qytete të mëdha si Teherani, Mashhadi, Kermanshahu dhe Bushehri, ku sipas pamjeve të verifikuara nga media ndërkombëtare, forcat e sigurisë kanë qëlluar drejtpërdrejt mbi turmat. Regjimi ka vendosur ndërprerje të komunikimeve, duke kufizuar internetin dhe lidhjet telefonike për ditë të tëra.
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian ka fajësuar SHBA-në dhe Izraelin për trazirat, ndërsa udhëheqësi suprem Ali Khamenei ka paralajmëruar se protestuesit do të trajtohen si armiq të Zotit, një akuzë që në Iran dënohet me vdekje.
Situata ka ngjallur reagime edhe jashtë vendit, me protesta solidariteti në disa kryeqytete europiane dhe thirrje për ndërhyrje ndërkombëtare. Megjithatë, brenda Iranit frika po rritet se ekzekutimi i Erfan Soltanit do të shënojë një fazë edhe më të errët të represionit, ku dënimi me vdekje përdoret për të shtypur çdo zë kundërshtues.
