
Policia rrethon zonën dhe po heton pistat e para, ndërsa autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur sot në rrethrrotullimin e Rinasit, ku nga të shtënat me armë zjarri i raportuar Kallashnikov, ka mbetur i vrarë një person dhe është plagosur një tjetër. Ngjarja ka ndodhur rreth mesditës dhe ka shkaktuar panik tek qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve që qarkullonin në zonë.
Sipas informacioneve të para, viktima dhe personi i plagosur udhëtonin me automjet në momentin kur janë qëlluar. Ende nuk dihet motivi i ngjarjes, ndërsa autorët dyshohet se janë larguar me shpejtësi drejt një destinacioni të panjohur.
Forca të shumta policie kanë mbërritur në vend dhe kanë bllokuar zonën për hetime. Në terren ndodhen ekipet e RENEA dhe Drejtorisë së Krimeve të Rënda, të cilat po analizojnë kamerat e sigurisë së bizneseve pranë rrethrrotullimit me qëllim identifikimin e automjetit të autorëve.
Personi i plagosur është transportuar me urgjencë në spitalin e Traumës në Tiranë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve. Gjendja e tij shëndetësore nuk është bërë e ditur ende.
Ngjarja konsiderohet tejet serioze, pasi rrethrrotullimi i Rinasit është një nga pikat më të rëndësishme të qarkullimit dhe sigurisë në vend, për shkak të afërsisë me aeroportin ndërkombëtar të Tiranës.
Policia pritet të japë informacione zyrtare në vijim.
