“Artisti i Popullit” dhe mjeshtri i fjalës Robert Ndrenika feston sot 84-vjetorin e lindjes.
Me një portret të dashur dhe zërin që di të futet në lëkurën e çdo personazhi, rolet e shumta të interpretuara prej tij pasqyrojnë edhe botën e madhe shpirtërore që e karakterizon.
Ndrenika përveç teatrit ka dhuruar një trashëgimi të pasur kinematografike, duke intrepretuar në role të larmishme, tragjike e komike. Karakteret e realizuara me mjeshtëri nga Ndrenika kanë bërë që jo vetëm rolet, por edhe filmat të bëhen të pavdekshëm.
Robert Ndrenika lindi në Tiranë në 10 janar 1942. Talenti i tij spikati që në vitet e para të jetës, kur ai kultivonte pasionin për teatrin në Shtëpinë e Pionierit në Tiranë. Pas përfundimit të gjimnazit “Qemal Stafa”, në vitet ai 1960-1964 nisi studimet për aktor në Shkollën e Lartë “Aleksandër Moisiu”.
Nga ky vit, deri më 1970, punoi si aktor në Teatrin “Skampa” të Elbasanit. Në vitet 1970-1974 punoi si aktor në Teatrin e Institutit të Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), më pas në Teatrin Kombëtar, deri sa doli në pension. Presidenti Bamir Topi, i akordoi Robert Ndrenikës titullin e lartë “Nder i Kombit” (në vitin 2012).
Në kinematografi numërohen mbi 30 filma, si: “I teti në bronz”, “Kapedani”, “Shtigje lufte”, “Në shtëpinë tonë”, “Koncert në vitin 1936”, “Mësonjtorja” etj. Për kontributin e tij të jashtëzakonshëm Robert Ndrenika mban titujt “Artist i Popullit” dhe “Nder i Kombit”.
#𝗢𝗯𝘀𝗲𝗿𝘃𝗲𝗿𝗞𝘂𝗹𝘁
