Pas aksidentit tragjik që i mori jetën Leandro Shametajt, familjarët e të miturit denoncojnë neglizhencën e autoriteteve dhe mungesën e reagimit institucional
Një tragjedi e rëndë ka goditur Vlorën në orët e vona të së hënës, ku 17-vjeçari Leandro Shametaj humbi jetën pasi u përplas nga një automjet tip “Porsche”. Aksidenti ndodhi rreth orës 01:30 pas mesnate, dhe goditja fatale i mori jetën menjëherë të riut.
Pas ngjarjes, trupi i Leandros u dërgua në morgun e spitalit të Vlorës, ku familjarët dhe të afërmit kanë pritur me orë të tëra pa marrë asnjë përgjigje nga autoritetet. Gjyshi i viktimës, i dërrmuar nga dhimbja, denoncoi për mediat mungesën e veprimit të institucioneve, duke theksuar se trupi i nipit ishte lënë në morg për më shumë se tetë orë pa ndërhyrje të mjekut ligjor.
“Djali i vajzës time u aksidentua mbrëmë në orën 12 dhe u soll në morg. Kemi 8 orë këtu, asnjë mjek nuk vjen për të bërë veprimet. Janë 30 policë këtu dhe askush nuk merr masa. Një makinë ma vrau djalin me 220 kilometra në orë dhe shteti hesht. Ky nuk është shtet, është turp!”, u shpreh gjyshi mes lotësh.
Familjarët kërkojnë hetim të plotë dhe drejtësi për 17-vjeçarin, ndërsa akuzojnë institucionet për mosveprim dhe mungesë transparence. Ata thonë se edhe pas orësh të gjata pritjeje, nuk kanë marrë asnjë informacion zyrtar për ecurinë e hetimeve apo për ekspertizën mjeko-ligjore.
Ngjarja ka shkaktuar indinjatë në opinionin publik, ndërsa qytetarë të shumtë kanë shprehur në rrjete sociale zemërimin e tyre për mënyrën se si janë trajtuar familjarët e viktimës në një moment kaq të rëndë. Autoritetet ndërkohë nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar mbi pretendimet e familjes Shametaj.
