
Screenshot

Raportimi mbi humbjen e shumicës myslimane, shihet si mjet propagandistik për të krijuar perceptimin e tentakulave serbe në vend
Publikimi i një lajmi se Shqipëria nuk është më një vend me shumicë myslimane, për herë të parë që prej shekullit XVII, ka hapur një debat të fortë mbi prapaskenat e këtij raportimi. Nuk bëhet fjalë thjesht për një rezultat statistikor të regjistrimit të popullsisë, që në 2023, por për një narrativë të përdorur me qëllime politike e propagandistike.
Portale serbe e kanë shfrytëzuar këtë zhvillim për të ndërtuar idenë se kisha ortodokse, si instrument i ndikimit të Beogradit, ka arritur të shtrijë rrënjë në Shqipëri. Ky diskurs nuk ndalet vetëm tek shifrat, por lë të kuptohet sikur ka ekzistuar një plan i heshtur, i mbështetur në mënyrë të tërthortë edhe nga qeveria shqiptare, për të ndryshuar balancat sociale dhe kulturore të vendit.
Në këtë narrativë, emigracioni masiv i shqiptarëve drejt vendeve të Bashkimit Evropian shihet si provë shtesë se Shqipëria po transformohet sipas interesave të jashtme. Në mënyrë të qëllimshme, ky proces paraqitet si terren i favorshëm për zgjerimin e ndikimit ortodoks dhe rrjedhimisht, të tentakulave serbe.
Kjo përbën thelbin e dyshimeve për një komplot më të gjerë: Serbia, duke përdorur fenë si mbulesë, synon të paraqesë veten si faktor përcaktues edhe brenda Shqipërisë. Çdo ndryshim shoqëror interpretohet si fitore e saj, duke e ushqyer arrogancën politike dhe duke krijuar perceptimin se ajo është në gjendje të orientojë fatet e fqinjëve.
Në këtë kuptim, raportimi i tillë nuk mund të lexohet si analizë objektive, por si një manovër e menduar për të legjitimuar pretendimet e Serbisë në rajon dhe për të projektuar një rol dominues mbi Shqipërinë.