
Sipas saj, parandalimi nuk lidhet me ushqime magjike, por me uljen e rrezikut në afat të gjatë
A mund të ndikohet rreziku për kancer përmes asaj që vendosim çdo ditë në pjatë. Një specialiste e ushqyerjes e fokusuar te parandalimi thotë se po, të paktën pjesërisht, dhe se vendimi i saj ka qenë i qartë: tre kategori ushqimesh nuk janë më pjesë e jetës së saj të përditshme.
Sipas saj, nuk bëhet fjalë për perfeksion ushqimor apo për dieta ekstreme, por për koherencë shkencore dhe zakone të qëndrueshme. Kanceri është një sëmundje me shumë faktorë, por një pjesë e rasteve lidhen me elementë që mund të ndryshohen, si ushqimi, pesha trupore, alkooli, duhani dhe aktiviteti fizik. Ushqimi nuk jep garanci, por ndikon në terrenin biologjik të organizmit.
Kategoria e parë që ajo ka përjashtuar janë mishrat e përpunuar. Bëhet fjalë për sallamra, proshuta industriale, bacon, salsiçe, mishra të tymosur apo të kripur. Problemi nuk është proteina, por mënyra e përpunimit dhe përdorimi i aditivëve si nitritet dhe nitrate. Sipas të dhënave të përmbledhura nga institucione ndërkombëtare, mishrat e përpunuar lidhen me rritje të rrezikut për kancerin kolorektal, veçanërisht kur konsumohen shpesh dhe për një kohë të gjatë. Një porcion i vogël herë pas here nuk duket alarmant, por kur këto produkte bëhen pjesë e zakonshme e sanduiçëve, picave apo ushqimeve të gatshme, ekspozimi rritet ndjeshëm.
Grupi i dytë që ajo ka reduktuar në zero janë sheqernat e rafinuara dhe produktet shumë të ëmbla. Nutricionistja thekson se ideja se sheqeri ushqen drejtpërdrejt kancerin është e thjeshtuar gabimisht. Problemi qëndron te efektet indirekte. Konsumi i lartë i sheqernave të shpejta favorizon shtimin në peshë, çrregullon balancën metabolike dhe nxit procese inflamatore. Mbipesha dhe obeziteti lidhen me rritje të rrezikut për disa lloje kanceri. Për këtë arsye, ajo ka hequr dorë nga pijet e gazuara, ëmbëlsirat industriale, drithërat shumë të sheqerosura dhe desertet e gatshme, duke zgjedhur sheqernat natyrale që gjenden në fruta të plota, të shoqëruara me fibra dhe ujë.
Kategoria e tretë janë ushqimet ultra të përpunuara. Pjata të gatshme, snacke, biskota, bare energjie, salca industriale dhe produkte me lista të gjata përbërësish. Sipas saj, rreziku nuk lidhet me një substancë të vetme, por me efektin e kombinuar. Këto ushqime janë shpesh shumë kalorike, me pak vlera ushqyese, të pasura me kripë, sheqer ose yndyrna të dobëta dhe me pak fibra. Studime të mëdha vëzhguese kanë vënë re lidhje mes konsumit të lartë të ushqimeve ultra të përpunuara dhe rritjes së rrezikut për disa sëmundje, përfshirë edhe kancerin, edhe pse nuk flitet për shkakësi direkte.
Nutricionistja thekson se heqja dorë nuk mjafton pa zëvendësim. Në vend të tyre, ajo mbështetet te ushqimet e thjeshta dhe pak të përpunuara. Fruta dhe perime të ndryshme, bishtajore, drithëra integrale dhe produkte me fibra janë baza e përditshme. Ajo i kushton rëndësi edhe yndyrnave cilësore, si vaji i ullirit, arrat, farat dhe peshku i yndyrshëm, duke sqaruar se jo çdo yndyrë është e dëmshme dhe se balanca është çelësi.
Mesazhi i saj kryesor është qëndrueshmëria. Nuk ka ushqim që të mbron i vetëm dhe nuk ka ushqim që të shkakton kancer me siguri. Parandalimi funksionon përmes probabiliteteve dhe zakoneve të përsëritura. Më mirë një dietë e arsyeshme, e ndjekur shumicën e kohës, sesa periudha të shkurtra perfekte të ndjekura nga rikthimi te zakonet e vjetra.
Sipas saj, frika dhe fajësimi nuk ndihmojnë. Ajo që ka vërtet rëndësi është ajo që bëjmë më shpesh, jo ajo që bëjmë në mënyrë perfekte.
