

Diesel magjeps Milano Fashion Week: Nga “Egg Hunt” në rrugë, te moda që i përket të gjithëve
Milano u kthye në një pasarelë gjigante kur Diesel hapi zyrtarisht Fashion Week Pranverë/Verë 2026 me një ide krejtësisht të pazakontë: një “Egg Hunt” urbane ku 55 veshje u ekspozuan brenda vezëve gjigante transparente, të shpërndara nëpër qytet.
Drejtori kreativ Glenn Martens sfidoi edhe një herë konceptin e ekskluzivitetit në modë, duke e kthyer sfilatën në një lojë ku çdo njeri mund të kishte një “front row”. “Moda është një lojë, dhe të gjithë duhet të luajnë”, -shkruhej në shënimet e Diesel.
Koleksioni përfaqësonte një manifest të guximshëm të estetikës së markës: xhinse të dekonstruktuara, materiale të ricikluara, tufa të thurura, copa të ngjitura e të lëna të grisura, silueta destrukturuese dhe forma të papritura. Një miks mes subkulturës dhe kundërkulturës, që fton të përqafojmë një demokraci të gjallë dhe të përbashkët.
Diesel tregoi se nuk është thjesht një brand mode, por një fenomen kulturor, ku anti-trendi bëhet trend dhe ku rregullat nuk janë për t’u ndjekur, por për t’u thyer.