
OSHEE njofton se institucionet e rëndësishme po furnizohen nga linja alternative, ndërsa ekipet po punojnë për rikthimin e plotë të energjisë
Një pjesë e kryeqytetit, Tirana, ka mbetur pa energji elektrike mbrëmjen e sotme, pas një defekti në rrjetin e transmetimit. Sipas njoftimit zyrtar të OSHEE, rreth orës 20:30 është stakuar linja e transmetimit 110 kV Tirana 220 kV – Traktora, duke shkaktuar ndërprerje të përkohshme të furnizimit në disa zona të qytetit.
OSHEE bën me dije se grupet e saj ndodhen në terren dhe po punojnë intensivisht për normalizimin e situatës. Aktualisht po kryhen manovrime me linjat e dyta përmes skemave unazë, me qëllim rikthimin gradual dhe të plotë të energjisë elektrike.
Sipas të njëjtit njoftim, institucionet me rëndësi të veçantë janë furnizuar menjëherë me energji nga linja alternative, ndërsa në disa zona të kryeqytetit furnizimi është rikthyer brenda rreth 30 minutash nga momenti i ndërprerjes.
Megjithatë, ende pa energji elektrike mbeten disa zona, përfshirë një pjesë të rrugës Ali Demi, zonën pranë Teleferikut, Freskun si edhe disa segmente pranë Rrugës së Elbasanit. OSHEE thekson se punimet po vijojnë dhe se energjia do të rikthehet sapo të përfundojnë manovrimet teknike në rrjet.
