Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka komentuar për herë të parë publikisht heqjen e tabelës në oborrin e Xhamisë “Ebu Bekr” nga policia vendore e Shkodrës.
Gjatë një aktiviteti në Xhaminë e Rusit në Shkodër në përkujtim të Haxhi Fejzi Zaganjorit, Myftiu Sytari e cilësoi “një rrugaç me pushtet” drejtorin e policisë vendore të Shkodrës Gentian Berberi.
Ky i fundit udhëhoqi aksionin për heqjen e tabelës nga oborri i Xhamisë së Madhe në Shkodër.
Kjo tabelë ishte rivendosur në oborrin e Xhamisë pasi më përpara ishte hequr nga policia bashkiake por në një vend tjetër, disa metra më tutje teksa ndodhej në trotuar.
Tabela mbante mbishkrimin profetik “Kush grabit qoftë edhe një pëllëmbë tokë, Allahu në ditën e Kiametit ka për t’i varur në qafë shtatë palë tokë” dhe në të dy herët tabela qëndroi përballë kullës me 35 kate që ka nisur të ndërtohet tek hotel Turizmi në qendër të qytetit.
Myftinia pretendon se ajo tokë po grabitet pasi është pronë e tyre, komunitetit ortodoks dhe familjes Laçej.
Myftiu Sytari zhvilloi një takim me kryebashkiakun e Shkodrës Benet Beci duke ulur tensionet dhe duke gjetur rrugën e bashkëpunimit pas përplasjeve që nisën nga heqja e asaj tabele.
Ndërsa me bashkinë kjo temë është mbyllur, Myftiu Sytari kritikoi ashpër veprimin e drejtorit të policisë vendore të Shkodrës Gentian Berberi i cili sëbashku me disa efektivë u futën me forcë duke hequr tabelën në oborrin e Xhamisë “Ebu Bekr” në qendër të qytetit në orët e mbrëmjes të 9 nëntorit.
Në fjalën e tij Myftiu Sytari siguroi se ajo tabelë do të shumëfishohet dhe vendoset kudo dhe se askush nuk mund t’i ndalë.
