
Studimi zbulon se ndryshimet në retinë mund të tregojnë rrezikun për demencë, përpara se të shfaqen simptomat
Një studim i ri shkencor ka ngritur alarmin për një shenjë të pazakontë, por potencialisht vendimtare, që lidhet me shëndetin e trurit dhe mund të zbulohet thjesht duke ekzaminuar sytë. Sipas kërkimit, gjendja e retinës mund të sinjalizojë rrezikun për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit shumë vite përpara shfaqjes së simptomave të para.
Studimi është publikuar në revistën shkencore Frontiers in Aging Neuroscience dhe është realizuar nga studiues kinezë, të cilët analizuan shëndetin okular të rreth 30 mijë personave. Vullnetarët u ndoqën për një periudhë dhjetëvjeçare, duke i lejuar shkencëtarët të lidhin ndryshimet në sy me shfaqjen e demencës në të ardhmen.
Rezultatet tregojnë se sa herë që retina, shtresa e ndjeshme e indeve në fund të syrit, hollohej edhe me një njësi të vetme, rreziku për zhvillimin e sëmundjes së Alzheimerit rritej me rreth 3%. Por ajo që i habiti më shumë studiuesit ishte pjesa qendrore e retinës. Në rastet kur kjo zonë rezultonte anormalisht e hollë, rreziku për demencë frontotemporale rritej deri në 41 %.
Sipas ekspertëve, kjo lidhje nuk është e rastësishme. Nervi optik konsiderohet një vazhdim i drejtpërdrejtë i sistemit nervor qendror. Kjo do të thotë se ndryshimet e hershme në sy mund të jenë pasqyrë e proceseve degjenerative që po ndodhin në tru, ende pa u shfaqur shenja klinike të dukshme.
Studiuesit theksojnë se ky zbulim hap rrugën për diagnostikim shumë më të hershëm të sëmundjeve neurodegjenerative, përmes kontrolleve të thjeshta oftalmologjike. Një ekzaminim rutinë i syve mund të kthehet, në të ardhmen, në një mjet të fuqishëm parandalues për një nga sëmundjet më të rënda të plakjes.
Megjithatë, ekspertët nënvizojnë se këto rezultate nuk nënkuptojnë diagnozë automatike, por një sinjal paralajmërues që kërkon vëmendje mjekësore dhe ndjekje të kujdesshme. Studime të mëtejshme pritet të përcaktojnë se si këto të dhëna mund të përdoren në praktikën klinike për të mbrojtur shëndetin e trurit në fazat më të hershme.
