
Një rast i pazakontë përfundon menë Kaliforni, pavarësisht kreativitetit të drejtueses së mjetit
Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në Kaliforni, ku një shoferе është ndaluar nga policia jo për shkelje të rënda rrugore, por për shkak të targës së automjetit të saj, e cila rezultoi të ishte e bërë me dorë.
Gruaja po drejtonte një automjet tip Nissan Sentra dhe, sipas autoriteteve, dokumentacioni i saj ishte i rregullt dhe sjellja në trafik korrekte. Megjithatë, gjatë kontrollit rutinë, një efektiv i California Highway Patrol vuri re se targa e pasme e makinës nuk ishte zyrtare.
Në vend të targës standarde të lëshuar nga shteti, drejtuesja kishte vendosur një version artizanal, të shkruar me dorë dhe të ngjitur në pjesën e pasme të mjetit. Targa përmbante edhe numrin identifikues të automjetit, si dhe mbishkrimin California, duke imituar pamjen e një targe origjinale. Megjithatë, detajet nuk ishin të plota dhe disa elementë rezultonin të improvizuar.
Policia ka sqaruar se, pavarësisht karakterit të pazakontë dhe kreativ të rastit, ligji është i qartë dhe lejon vetëm përdorimin e targave zyrtare të lëshuara nga autoritetet shtetërore. Për këtë arsye, shoferja është gjobitur me 197 dollarë amerikanë.
Rasti është bërë publik edhe në rrjetet sociale nga vetë policia rrugore, e cila ka ironizuar lehtë situatën duke vlerësuar kreativitetin e drejtueses, por njëkohësisht ka theksuar se rregullat e qarkullimit nuk mund të zëvendësohen me zgjidhje personale.
Autoritetet kujtojnë se zëvendësimi i një targe të humbur apo të dëmtuar në Kaliforni kushton rreth 27 dollarë, shumë më pak sesa gjoba e vendosur në këtë rast. Ngjarja është konsideruar si një shkelje e lehtë krahasuar me raste të tjera më serioze të falsifikimit të targave, por shërben si paralajmërim se ligji zbatohet pa përjashtim.
