
Operacioni “Absolute Resolve” u mbështet në muaj të tërë përgjimesh, survejimi dhe informacione kyçe nga një burim i infiltruar pranë presidentit venezuelian
Kapja dhe nxjerrja nga Venezuela e ish-presidentit Nicolás Maduro ishte kulmi i një operacioni të përgatitur në heshtje për muaj të tërë nga Shtetet e Bashkuara, ku një rol vendimtar luajti një informator i infiltruar në rrethin më të afërt të pushtetit në Caracas.
Operacioni, i koduar Absolute Resolve, u përshkrua nga shefi i Shtabit të Përbashkët amerikan, gjenerali Dan Caine, si rezultat i një faze të gjatë mbledhjeje informacioni dhe vëzhgimi të detajuar. Që prej muajit gusht, CIA kishte dërguar ekipe në terren për të ndjekur nga afër lëvizjet e Madurës, rutinën e tij të përditshme, vendbanimet, udhëtimet dhe masat e sigurisë.
Sipas raportimeve të mediave amerikane, shërbimet e inteligjencës përdorën një kombinim të teknologjisë së avancuar, përfshirë dronë të padukshëm dhe përgjime elektronike, si dhe informacione të dorës së parë nga një person i afërt me presidentin venezuelian. Ky burim i infiltruar kishte aftësinë të sinjalizonte me saktësi vendndodhjen dhe lëvizjet e Madurës gjatë gjithë operacionit, duke ofruar të dhëna që u cilësuan si vendimtare nga analistët amerikanë.
Sipas New York Times dhe Reuters, ekzistenca e një shpërblimi prej 50 milionë dollarësh të shpallur nga Uashingtoni për informacion që do të çonte në arrestimin e Madurës, ka ndihmuar në sigurimin e bashkëpunimit të këtij informatori. Këto informacione i dhanë komandës amerikane avantazhin e nevojshëm për të planifikuar ndërhyrjen me saktësi maksimale dhe rrezik minimal për civilët.
Vendimi përfundimtar për nisjen e operacionit u mor vetëm pak ditë përpara sulmit, pas vlerësimit të kushteve meteorologjike dhe situatës së sigurisë në Caracas. Presidenti Donald Trump dha dritën jeshile përfundimtare mbrëmjen e së premtes, ndërsa në ditët paraprake SHBA kishte forcuar në heshtje praninë ushtarake në rajon me avionë specialë, mjete lufte elektronike dhe dronë të armatosur.
Për ekspertët ushtarakë, këto lëvizje tregonin se ndërhyrja ishte e pashmangshme dhe se çështja nuk ishte më nëse do të ndodhte, por kur. Kapja e Nicolás Maduros, sipas tyre, përbën një nga operacionet më të sofistikuara të inteligjencës amerikane në Amerikën Latine në dekadat e fundit, ku një “taupë” në zemër të pushtetit rezultoi çelësi i suksesit.
