
“Laveuse” (1916), piktura që u identifikua vetëm në vitin 2024 si vepër e grabitur gjatë Luftës së Dytë Botërore, do të shitet më 5 dhjetor 2025 në Paris pasi iu kthye trashëgimtarëve të ligjshëm.
Një tablo e rrallë e Pierre-Auguste Renoir po rikthehet në tregun e artit pas një rruge të gjatë plot enigma, që sot konsiderohet si një nga “cold case”-et më të habitshme të historisë së artit. Vepra “Laveuse”, e pikturuar në vitin 1916, do të dalë në ankand në Hôtel Drouot në Paris më 5 dhjetor 2025. Zbulimi se ajo ishte spoliuar nga nazistët gjatë pushtimit të Francës u bë vetëm në vitin 2024, duke kthyer historinë e saj përmbys.
Tabloja u paraqit në Drouot në vitin 2023 nga një zonjë e moshuar e Neuilly-sur-Seine, e cila e trashëgoi koleksionin nga nëna e saj. Piktura ishte blerë në vitet 1980 në galerinë prestigjioze Segoura dhe kishte kaluar për dekada pa u vënë në dyshim origjina e saj. Gjatë procesit të rutinës së verifikimit, veprës iu sigurua certifikim nga ekspertët dhe nga Institut Wildenstein, si dhe u pajtua një licencë eksporti pas vlerësimit të Muzeut d’Orsay. Asgjë nuk ngjalli alarm.
Gjithçka ndryshoi kur Drouot kërkoi konfirmime nga baza ndërkombëtare “The Art Loss Register”. Pas disa kërkimeve të mëtejshme, në vitin 2024 doli në dritë e vërteta: piktura figuronte midis veprave të konfiskuara nga regjimi nazist mes viteve 1940-1944, periudhë gjatë së cilës rreth 100 mijë objekte arti iu rrëmbyen familjeve hebreje në Francë. Në përputhje me legjislacionin e ri francez, tabloja iu kthye trashëgimtarëve të ligjshëm para se të vendosej të shitej sërish.
Kryetari i Drouot, Alexandre Giquello, e cilëson rastin shembullor për rëndësinë e kërkimit dhe transparencës në tregun e artit. Ai thekson se shumica e veprave të grabitura ende mbeten të humbura dhe se roli i ankandeve në identifikim është po aq thelbësor sa ai i muzeve.
“Laveuse” kthehet tani në skenë jo vetëm si vepër artistike, por si dëshmi historike e padrejtësive të kohës së luftës. Ankandi i saj pritet të tërheqë interes të madh, jo vetëm për vlerën estetike të Renoir, por edhe për udhëtimin e jashtëzakonshëm që e solli përsëri në dritë.
Në datën 5 dhjetor, sytë e botës së artit do të jenë mbi këtë tablo, një fragment historie që rikthehet mes nesh pas më shumë se tetë dekadash heshtjeje.
