
Ferr droge në Katar: Adoleshent britanik arrestohet me kanabis në valixhe, familja thotë se u kërcënua nga banda
Një tjetër adoleshent britanik po përballet me vite burg në Katar, pasi u arrestua nën akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike. Bëhet fjalë për 18-vjeçarin Lino Neil, i cili u ndalua në aeroportin ndërkombëtar të Dohas, pasi autoritetet zbuluan një sasi të madhe kanabisi në valixhen e tij, gjatë një udhëtimi kthimi nga Tajlanda.
Sipas mediave britanike, i riu pretendon se është detyruar të transportojë drogën nga një bandë kriminale, e cila e kishte kërcënuar atë dhe familjen e tij. Familjarët këmbëngulin se Lino është i pafajshëm dhe se ka vepruar nën presion të rëndë psikologjik.
Nëna e tij, Nicola Neil, ka deklaruar se djali i saj është shfrytëzuar dhe manipuluar nga persona të rrezikshëm, duke shtuar se ai nuk kishte asnjë lidhje me botën e drogës dhe nuk kishte kapacitet për të organizuar një aktivitet të tillë kriminal. Ajo ka pohuar gjithashtu se i riu ka kaluar festat e fundvitit i vetëm dhe i frikësuar në qeli, në kushte të vështira.
Fillimisht, 18-vjeçari u mbajt në paraburgim në ambientet e aeroportit, përpara se të transferohej në një burg qendror në Doha. Familja përballet tashmë me kosto të mëdha ligjore, ndërsa përgatitet për procesin gjyqësor që pritet të zhvillohet në javët në vijim.
Autoritetet britanike kanë konfirmuar se janë në kontakt me familjen dhe po ofrojnë asistencë konsullore për shtetasin e tyre. Ndërkohë, rasti i Lino Neil shton shqetësimet për fenomenin e rekrutimit të të rinjve nga rrjete kriminale ndërkombëtare për transport droge, veçanërisht në vende me ligje shumë të ashpra si Katari.
Familja shpreson që drejtësia të marrë parasysh rrethanat e ngjarjes dhe që i riu të kthehet sa më shpejt pranë të afërmve të tij.
