

Në vitin 1922, bota e arkeologjisë përjetoi një zbulim të paprecedentë: eksploratori britanik Howard Carter hyri në varrin e faraonit Tutankhamun, në Luginën e Mbretërve dhe gjeti një thesar që i kalonte të gjitha pritshmëritë. Midis maskave funerare, stolitë dhe amuleteve, u numëruan mbi 110 kilogramë ar i pastër, një pasuri që habiti botën.
Që nga momenti i zbulimit, të gjitha objektet e gjetura i përkasin shtetit egjiptian. Megjithëse gërmimi u krye nga një ekip britanik, Kairo nuk lejoi kurrë eksportimin e ligjshëm të asnjë prej objekteve. Në atë kohë ekzistonte sistemi i “partage”, që lejonte ndarjen e gjetjeve mes misionit të huaj dhe vendit pritës, por qeveria vendosi që asgjë të mos largohej nga Egjipti, për shkak të rëndësisë dhe gjendjes së përsosur të thesarit.
Prej vitit 1922, autoritetet egjiptiane kanë mbrojtur të drejtën e tyre mbi kompleksin funerar, të forcuar më pas nga ligjet e trashëgimisë kulturore që vazhdojnë të jenë në fuqi edhe sot. Aktualisht, pjesa më e madhe e thesarit ruhet në Muzeun Egjiptian të Kajros, edhe pse disa objekte janë huazuar për ekspozita ndërkombëtare. Egjipti ka refuzuar vazhdimisht çdo ofertë blerjeje, duke këmbëngulur se vlera e tij është kulturore dhe e patjetërsueshme.
Sipas autoriteteve të antikiteteve, ky zbulim është një emblemë kombëtare. Trashëgimia e Tutankhamunit nuk përfaqëson vetëm objekte ari, por simbolizon identitetin dhe historinë e popullit egjiptian.
Varri i Tutankhamunit, i vendosur në Luginën e Mbretërve, mbeti pothuajse i paprekur që nga viti 1323 p.K., kur vdiq faraoni i ri. Brenda tij u gjetën mbi 5.000 objekte, përfshirë një sarkofag të artë, një maskë funerare 11 kilogramëshe, trone dhe karroca lufte, të cilat ishin vendosur për ta shoqëruar në jetën e përtejme.
Specialistët vlerësojnë se vetëm ari dhe bizhuteritë e thesarit mund të kapin shifrën e 90 milionë dollarëve në tregun e sotëm. Por përtej llogarive monetare, vlera historike dhe kulturore e këtij zbulimi është e paçmueshme.