Një vit pas përmbysjes së regjimit të tij në Siri, Bashar al-Assad ka lënë pas politikën dhe po përpiqet të rikthehet në profesionin e tij të parë, mjekësinë.
Ish-presidenti sirian ndodhet aktualisht në mërgim në Rusi, ku po ndërmerr hapa për t’u riaktivizuar si oftalmolog. Sipas gazetës Guardian, e cila citon burime të afërta me familjen Assad, ai po ndjek kurse oftalmologjie në shkollat mjekësore të Moskës. Një mik i familjes, që mban kontakt të rregullt me ta, ka bërë të ditur se Assad po mëson gjithashtu gjuhën ruse.
Sipas të njëjtit burim, ai po rifreskon njohuritë e tij profesionale në një fushë që e ka pasur gjithmonë pasion. Rikthimi në mjekësi nuk lidhet me arsye financiare, pasi ish-presidenti nuk ka nevojë për të ardhura. Kjo zgjedhje përfaqëson një distancim të plotë nga jeta politike dhe një fokus në identitetin e tij profesional si mjek.
