

Naim Qassem shpall vendosmërinë e Hezbollah-ut për të ruajtur arsenalin, ndërsa qeveria libaneze dhe Perëndimi shtojnë presionin për çarmatim
Një vit pas vrasjes së udhëheqësit historik Hassan Nasrallah nga bombardimet izraelite në Bejrut, Hezbollah ka bërë të qartë se nuk do të dorëzojë armët. Mes një ceremonie përkujtimore të zhvilluar këtë fundjavë në kryeqytetin libanez, numri dy i lëvizjes, Naim Qassem, deklaroi se grupi do të vazhdojë të ruajë fuqinë e tij ushtarake, edhe pse është goditur rëndë nga lufta e fundit me Izraelin.
“Ne nuk do t’i braktisim kurrë armët, as nuk do t’i dorëzojmë ato,” -tha Qassem përpara mijëra mbështetësve të veshur me të zeza, që mbanin portretet e Nasrallah dhe pasuesit të tij, Hashem Safieddine, i vrarë gjithashtu pak javë pas liderit kryesor. Ai shtoi se çdo përpjekje për çarmatim shihet si një projekt që i shërben Izraelit dhe se Hezbollah do ta kundërshtojë me çdo kusht.
Deklaratat e Qassem erdhën në një kohë kur qeveria e re e Libanit, e udhëhequr nga kryeministri Nawaf Salam, është angazhuar publikisht për të nisur procesin e çarmatimit të grupit të mbështetur nga Irani. Por përballë turmave që morën pjesë në ceremoninë përkujtimore dhe prania e përfaqësuesve iranianë, mes tyre sekretari i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare, Ali Larijani, tregon se ndikimi i Hezbollah-ut në shoqërinë libaneze mbetet i fortë.
Një student 21-vjeçar, pjesëmarrës në aktivitet, u shpreh se çarmatimi është ëndrra e armiqve, të brendshëm e të jashtëm, por një ëndërr që nuk do të bëhet realitet.
Vrasja e Nasrallah-it më 27 shtator 2024, pas më shumë se 30 vitesh në krye të Hezbollah-ut, shënoi një nga goditjet më të mëdha për lëvizjen. Lufta e ashpër me Izraelin solli mijëra viktima, shkatërrimin e fshatrave në jug të Libanit dhe përdorimin e metodave të reja të luftës, si shpërthimi i faqeve të komunikimit të grupit, që shkaktuan edhe viktima civile.
Edhe pse një armëpushim u nënshkrua në nëntor 2024, ushtria izraelite vijon ende të kontrollojë territore libaneze dhe të kryejë sulme ajrore, duke mbajtur gjallë tensionet. Në këtë realitet, mesazh i Hezbollah-ut është i qartë: armët e tyre mbeten pjesë e pandashme e mbijetesës dhe forcës politike të lëvizjes.