
Deklarata e Elon Mask ringjall debatin global për momentin kur AI mund të tejkalojë inteligjencën njerëzore
Debati mbi Singularity, momentin kur inteligjenca artificiale tejkalon aftësitë njerëzore dhe fillon të transformojë shoqërinë në mënyrë të pakthyeshme, është rikthyer fuqishëm në vëmendje pas një deklarate të fortë nga Elon Mask. Sipas tij, njerëzimi tashmë ka hyrë në epokën e Singularity dhe viti 2026 do të shënojë kulmin e këtij transformimi.
Deklarata u bë në rrjetin social X, si reagim ndaj një postimi të David Holz, i cili tregonte se modelet e fundit të inteligjencës artificiale i kanë mundësuar të realizojë në pak kohë projekte personale që më parë do t’i kërkonin vite pune. Musk u përgjigj duke theksuar se zhvillimet aktuale tregojnë qartë një ndryshim paradigme në shkallë globale.
Koncepti i Singularity u bë i njohur gjerësisht nga Ray Kurzweil, përmes librit të tij të vitit 2005 The Singularity is Near: When Humans Transcend Biology. Sipas këtij vizioni, Singularity përfaqëson pikën kur inteligjenca artificiale jo vetëm barazon, por tejkalon inteligjencën njerëzore, duke nxitur rritje teknologjike dhe shoqërore përtej kontrollit njerëzor.
Megjithatë, Kurzweil ka dhënë një afat më të vonshëm sesa Mask. Ai parashikon se inteligjenca artificiale do të arrijë nivelin e inteligjencës së përgjithshme artificiale rreth vitit 2029, ndërsa Singularity në kuptimin e plotë do të ndodhë rreth vitit 2045, kur inteligjenca jo-biologjike pritet të jetë miliarda herë më e fuqishme se inteligjenca njerëzore e kombinuar.
Parashikimi i Mask ka shkaktuar reagime të shumta në rrjet. Disa e shohin si një moment historik që do të sjellë zgjidhje për sëmundje të rënda dhe rritje të jashtëzakonshme ekonomike, ndërsa të tjerë e konsiderojnë si një deklaratë tepër optimiste dhe të parakohshme.
Pavarësisht dallimeve në afate, një gjë duket e qartë: përshpejtimi i zhvillimeve në inteligjencën artificiale po e shtyn botën drejt një epoke të re, ku kufijtë mes njeriut dhe teknologjisë po bëhen gjithnjë e më të paqartë.
