
Joz Marku ka shpërthyer pas videos virale ku shihej duke u përqafuar me reperin Stresi, duke e quajtur situatën të keqkuptuar dhe duke paralajmëruar se do të ketë sqarime për çdo gjë.
Në një intervistë për “Kosovë Show”, ish-banori i Big Brother VIP Albania rrëfeu se ajo që publiku e mori si miqësi është në fakt një përballje e hapur me të shkuarën. Sipas tij, mes dy artistëve nuk ka bashkëpunim, por një takim simbolik që lidhet me çështje të pashpjeguara.
“Stresi është djalë i mirë, por ka gjëra që duhet sqaruar. Nuk është mirë me gabu me mua, kush e ka bërë, do ta marrë hakun e vet, për mirë ose për keq,” -deklaroi Marku, duke shtuar se kjo nuk ishte as një provokim, as një pajtim publik.
Artisti kontrovers, i njohur për deklaratat e forta dhe karakterin e drejtpërdrejtë, theksoi se nuk harron as mirësitë, as padrejtësitë. “Nuk kam për qëllim të hedh baltë mbi askënd, por kush më ka sulmuar, do ta ketë sqarimin sy më sy,” -tha ai me ton sfidues.
Ai mohoi çdo aludim për marrëdhënie personale apo bashkëpunim muzikor me Stresin, duke e cilësuar takimin si një moment që do të kuptohet më vonë.
“Ka shumë pseudoartistë që mendojnë se fama vjen duke hedhur baltë mbi të tjerët. Unë nuk jam nga ata. Herët a vonë, secili do përballet me dënimin e vet,” -përfundoi Jozi, duke lënë të kuptohet se përplasjet e tij me disa figura të showbizit shqiptar nuk kanë përfunduar ende.
Reagimi i tij ka ndezur rrjetet sociale, me fansa që ndahen mes atyre që e mbështesin për sinqeritetin e tij dhe të tjerëve që e akuzojnë për kërkim vëmendjeje. Por një gjë është e sigurt, Joz Marku sapo ka hapur një kapitull të ri të konfrontimit publik.