
I dënuar në shkallë të parë me 9 vite burg për përdhunimin e Gisèle Pelicot ndërsa ishte nën efektin e qetësuesve, i vetmi që e çoi ankimimin deri në fund, rrezikon deri në 20 vite heqje lirie
Husamettin D., 44 vjeç, del sërish para trupit gjykues në Apelin e Nîmes për dosjen e njohur si “përdhunimet e Mazan”. Në vitin 2024 ai u dënua me 9 vite burg për përdhunimin e Gisèle Pelicot, të cilën, sipas akuzës, i shoqi, Dominique Pelicot, e kishte droguar dhe filmuar ndërsa burra të ndryshëm abuzonin me të. Nga rreth 50 persona të proceduar, ai është i vetmi që nuk ka hequr dorë nga apelimi.
Në gjykimin e parë, Husamettin D. mohoi kategorikisht akuzat, duke thënë se ishte futur në kurth dhe se mendoi se po merrte pjesë në një plan në treshe me pëlqim. Sipas dosjes, natën mes 28 dhe 29 qershorit 2019 telefoni i tij është sinjalizuar në zonën e Mazan nga ora 21:27 deri në 03:46. Ai pretendon se u prezantua si pjesë e një çifti libertin dhe se nuk e kuptoi menjëherë që gruaja nuk ishte në gjendje të jepte pëlqim.
Pamjet e regjistruara nga Dominique Pelicot u bënë prove kyçe në procesin e parë. Nën pyetjet e gjykatës, Husamettin D. pranoi se në një moment e kuptoi që viktima ishte e paaftë për të shprehur pëlqim dhe, i konfrontuar me përkufizimin ligjor, pranoi: “Tani e pranoj që është përdhunim.” Megjithatë ai këmbënguli se qëndroi nga frika dhe se ishte nën ndikimin e Pelicot.
Avokatja e tij, Me Sylvie Menvielle, thotë se klienti dëshiron të shpjegojë çfarë ka përjetuar dhe se është tejkaluar nga persona e rrethana që nuk i kontrollonte, duke kërkuar që dosja të shihet më komplekse se sa duket. Në të kundërt, pala e dëmtuar, Gisèle Pelicot, e bërë simbol i luftës kundër dhunës seksuale, pritet të përballet sërish me të në sallë.
Ky proces i dytë konsiderohet me rrezik të lartë për të pandehurin, pasi dënimi maksimal i parashikuar është deri në 20 vite heqje lirie. Vendimi i Apelit pritet të përcaktojë nëse gjykimi i parë do të konfirmohet, do të zbutet apo do të përmbyset.