
Kolegjë të indinjuar kërkojnë largimin nga policia, sindikata e mbron duke thënë se nuk ka shkelur ligjin
Një police e re e Policisë së Nju Jorkut është vënë në qendër të një skandali të madh pasi u zbulua se kishte një llogari me përmbajtje erotike në platformën OnlyFans, çka ka shkaktuar reagime të forta brenda radhëve të New York City Police Department.
Bëhet fjalë për oficeren Dannah Battino, 28 vjeçe, e cila shërben në komisariatin e 110-të në Queens dhe iu bashkua NYPD-së në prill të vitit 2025. Sipas mediave amerikane, në llogarinë e saj ajo kishte publikuar dhjetëra foto dhe video eksplicite, përfshirë edhe materiale intime me një grua tjetër.
Burime policore kanë deklaruar se shumë efektivë janë shprehur të revoltuar, duke kërkuar largimin e menjëhershëm të saj nga detyra. Sipas tyre, sjellje të tilla bien ndesh me standardet dhe imazhin e një institucioni që funksionon me rregulla të rrepta disiplinore. Duke qenë se Battino është ende në periudhë prove, ajo mund të shkarkohet edhe për sjellje të papërshtatshme për një oficer policie.
Ekspertë të rendit publik kanë bërë me dije se çështja mund të hetohet nga Njësia e Çështjeve të Brendshme, veçanërisht për të verifikuar nëse ajo ka deklaruar apo jo të gjitha burimet e të ardhurave gjatë procesit të rekrutimit. Aplikantët për policinë janë të detyruar të raportojnë çdo formë fitimi, ndërsa mosdeklarimi mund të përbëjë shkak për largim nga detyra.
Sipas informacioneve, Battino e kishte hapur llogarinë në OnlyFans përpara se të bëhej police dhe e ka mbyllur atë vetëm ditët e fundit, pasi imazhet nisën të qarkullonin mes kolegëve. Nuk dihet se sa të ardhura kishte përfituar nga platforma, ndërkohë që paga fillestare e një oficeri të ri në NYPD është rreth 60 mijë dollarë në vit.
Ndërkohë, sindikata e policisë ka dalë në mbrojtje të saj. Kreu i Shoqatës Bamirëse të Policëve, Patrick Hendry, deklaroi se për aq kohë sa ajo nuk ka kryer asnjë veprim të paligjshëm dhe kjo nuk ndikon në aftësinë e saj për të kryer detyrën, jeta e saj private nuk duhet të bëhet objekt gjykimi publik. Ai e cilësoi publikimin e informacionit personal si të turpshëm.
Autoritetet e NYPD-së kanë konfirmuar se rasti është nën shqyrtim të brendshëm. Vetë oficerja nuk ka reaguar publikisht, ndërsa mbetet për t’u parë nëse hetimi do të çojë në masa disiplinore apo largim nga shërbimi.
