
Pas urdhrit të mbrojtjes për Neda Ballukun, edhe Ogren Balluku paraqet pretendime për dhunë verbale, psikologjike dhe fizike, por kërkesa e tij nuk pranohet nga Gjykata e Tiranës
Ndarja mes moderatores Neda Balluku dhe bashkëshortit të saj Ogren Balluku vijon të shoqërohet me zhvillime të forta ligjore, teksa të dyja palët kanë paraqitur pretendime për dhunë në Gjykatën e Tiranës.
Më 16 janar 2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë vendosi lëshimin e një urdhri të menjëhershëm mbrojtjeje në favor të Neda Ballukut, pas pretendimeve të saj për dhunë nga ish-bashkëshorti. Vendimi u mor në kuadër të procedurave për mbrojtjen nga dhuna në familje.
Disa ditë më pas, Ogren Balluku iu drejtua po asaj gjykate me një kërkesë për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje për veten dhe djalin e tij, duke deklaruar se ishte subjekt i dhunës së vazhdueshme verbale dhe psikologjike nga bashkëshortja, si edhe episode që ai i cilëson si dhunë fizike. Në dëshminë e dhënë, Balluku pretendoi se ishte ofenduar rëndë, kërcënuar verbalisht dhe se ndihej i përndjekur, ndërsa theksoi se situata kishte ndikuar edhe te fëmijët e tij, të cilët sipas tij ishin përballur me presion psikologjik në ambientet e shkollës.
Pas shqyrtimit të kërkesës dhe pretendimeve të paraqitura, Gjykata e Tiranës vendosi rrëzimin e saj, duke mos pranuar lëshimin e urdhrit të menjëhershëm të mbrojtjes në favor të Ogren Ballukut.
Nga ana tjetër, Neda Balluku ka deklaruar se ish-bashkëshorti e pengon të takojë fëmijët, e nxjerr nga banesa dhe e ofendon në prani të tyre, duke pretenduar se ai po përpiqet t’i manipulojë fëmijët kundër saj.
Çështja mbetet ende në trajtim ligjor, ndërsa pritet vijimi i procedurave gjyqësore për sqarimin e plotë të pretendimeve të ndërsjella mes palëve.
