Ndërsa Gaza endet mes rrënojave dhe urisë, komuniteti ndërkombëtar paralajmëron për një krizë humanitare të pashembullt, me miliona banorë pa ushqim, ujë dhe strehë, ndërkohë që kufijtë mbeten të bllokuar.
Organizata e Kombeve të Bashkuara njoftoi se të paktën 1.5 milionë palestinezë në Rripin e Gazës kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme humanitare. Qytetarët që po kthehen në zonat e tyre pas dy vjetësh luftë përballen me një realitet tronditës: ndërtesat e rrafshuara, mungesën e ujit dhe ushqimit, dhe rrugët e mbuluara me rrënoja.
Sipas të dhënave të UNOSAT, programi satelitor i OKB, rreth 78 % e ndërtesave në territorin e Gazës janë shkatërruar që prej fillimit të konfliktit më 7 tetor 2023, duke krijuar mbi 61 milionë tonë mbeturina ekuivalente me peshën e 170 herë më shumë se ajo e ndërtesës Empire State në Nju Jork. Vetëm në qytetin e Gazës, dëmtimi ka prekur 83% të strukturave, ndërsa më shumë se gjysma e rrënojave u krijuan në pesë muajt e parë të luftës.
Pavarësisht armëpushimit të shpallur, Izraeli vazhdon të mbajë të mbyllura pikat kufitare, duke penguar hyrjen e ndihmave humanitare. Agjencitë ndërkombëtare paralajmërojnë për mungesë akute të ujit të pijshëm dhe rrezik të shtimit të sëmundjeve.
Në një takim në Kajro, përfaqësuesit e Hamasit dhe të fraksioneve të tjera palestineze njoftuan krijimin e një komiteti të pavarur teknokratësh për administrimin e Gazës pas luftës, një hap që pritet të vlerësohet nga komuniteti ndërkombëtar. Ndërkohë, Uashingtoni përmes sekretarit të tij të shtetit Marco Rubio deklaroi se SHBA kundërshton përfshirjen e Hamasit dhe UNRWA në qeverisjen e ardhshme të territorit.
Në Bregun Perëndimor, tensionet vazhdojnë: forcat izraelite arrestuan tre persona në Tulkarem, ndërsa bastisjet në Nablus, Jenin dhe Hebron shënuan përleshje të reja me banorët.
Ndërkohë, deklaratat raciste të ministrit izraelit të Financave Bezalel Smotrich ndaj Arabisë Saudite shkaktuan reagime të ashpra nga zyrtarët e Hamasit, duke thelluar përçarjet diplomatike në një moment kur bota kërkon stabilitet dhe zbatim real të armëpushimit.
Për miliona palestinezë, kthimi në shtëpi nuk do të thotë fundi i vuajtjeve, por fillimi i një beteje të re për mbijetesë mes rrënojave dhe urisë, në një Gaza që sot ekziston vetëm në hije të vetvetes.
