

Organizata e Kombeve të Bashkuara ka mohuar akuzat për sabotim pas një incidenti të ndodhur të martën në Nju Jork, kur shkallët lëvizëse u ndalën papritur në momentin që presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump, po ngjiteshin drejt sallës së Asamblesë së Përgjithshme.
Ngjarja, e ndodhur pak para fjalimit të Trump-it në podium, nxiti reagimin e Shtëpisë së Bardhë. Zëdhënësja Karoline Leavitt shkroi në X se çdo punonjës i OKB-së që mund të ketë ndalur qëllimisht shkallët duhet të shkarkohet dhe të hetohet menjëherë. Në reagimin e saj, ajo përfshiu edhe një artikull të The Times ku përmendej se disa punonjës të OKB-së kishin bërë shaka për fikjen e shkallëve e ashensorëve për ta detyruar Trump-in të ngjitej në këmbë.
Por zëdhënësi i OKB, Stephane Dujarric, sqaroi se defekti nuk kishte lidhje me sabotim. Sipas tij, një kameraman i delegacionit amerikan mund të ketë shkaktuar pa dashje ndërprerjen, pasi analiza e procesorit të pajisjes tregoi se ishte aktivizuar një mekanizëm sigurie në pjesën e sipërme të shkallëve. Ky mekanizëm ndalon menjëherë funksionimin për të shmangur që persona apo objekte të mos bllokohen në dhëmbëzat e makinës.
Vetë Trump e mori incidentin me humor gjatë fjalimit, duke thënë se nga OKB kishte marrë vetëm një shkallë të prishur dhe një teleprompter të prishur. Ai shtoi me shaka se nëse Zonja e Parë nuk do të ishte në formë, do të kishte rënë, por ajo është në formë të shkëlqyer.
Në një postim të mëvonshëm në rrjetin e tij Truth Social, Trump e quajti përvojën më interesante sesa pritej, duke shtuar se pavarësisht gjithçkaje, është gjithmonë nder të flasësh në Kombet e Bashkuara, edhe kur pajisjet e tyre nuk janë shumë në rregull.