Ola Bruko dhe Endri Prifti ishin të ftuar në “Rudina” në RTV Klan, ku rrëfyen për herë të parë më me detaje historinë e tyre të dashurisë. Duke adresuar dhe një herë vorbullën e komenteve negative kur lidhja e tyre u zbulua, Ola shpjegoi:
“Në publik është perceptuar më e jashtëzakonshme nga ç’është. Ne ishim dy njerëz të cilët kishin hedhur pas krahëve të tyre një të kaluar të caktuar, e cila për kohën ka qenë e lumtur për të dy, por mbaroi aty. Arsyet, s’jam e detyruar as unë dhe as Endri, t’i bëjmë publike. U takuam në një moment kur kishim nevojë me sa duket të njiheshim me një njeri që donim ne të ishte si vetja jonë. Virtytet që gjeta tek Endri ishin ato që unë gjithë jetën kam kërkuar të gjej te një njeri.”
“Jetonim vetëm, nuk tradhtuam askënd për të lidhur këtë dashuri,” shtoi Endri, i cili më tej zbuloi se propozimi për martesë ishte në planet e tij:
“Fejesa, dasma, do bëhen të gjitha, patjetër. Propozimin s’e kam bërë akoma, por do vijë avash-avash. Vjen vetë ajo, vjen spontanisht.”
Romanca mes Ola Brukos dhe Endri Priftit u spekulua në medie dy vite më parë, për t’u zyrtarizuar nga vetë dyshja gjatë verës së vitit 2024. Ky lajm nuk u prit mirë nga njerëzit të cilët vërshuan drejt tyre me një lumë komentesh negative, ama siç u shpreh dhe vetë dyshja, as që ndikohen më nga fjalët e tjerëve pasi “dashuria e tyre është e pathyeshme”.
