Policia italiane ka arrestuar një shqiptar që drejtonte nga arresti shtëpiak trafikun e kokainës në Torino, madje e kishte kthyer edhe banesën në një laborator të vërtetë të përpunimit të lëndëve narkotike.
Operacioni është zhvilluar në zonën e Gravere, ndërsa u sekuestruan si provë materiale mes të tjerash edhe 3,5 kg kokainë dhe 61 gramë metamfetaminë.
Hetuesit mblodhën informacione që tregonin se i dyshuari, nën arrest shtëpiak pasi u dënua për krime të lidhura po me drogën, po drejtonte një operacion të gjerë trafikimi droge nga shtëpia ku po vuante dënimin.
Shqiptari ndihej i sigurt duke kryer aktivitetin e tij të trafikut të drogës nga shtëpia, e veçuar dhe e mbrojtur nga një gardh i lartë dhe me gjashtë qen të mëdhenj, veçanërisht agresivë.
Bazuar në provat e mbledhura ditët e fundit, hetuesit arritën të hynin në shtëpi.
Bastisjet u zgjeruan edhe në një banesë të dytë, gjithashtu në pronësi të të arrestuarit, pranë shtëpisë ku ai po vuante arrestin shtëpiak. Atje, oficerët gjetën pajisje për përpunimin dhe paketimin e drogës, si dhe një makinë shtypi të pajisur me një krik hidraulik që përdoret për të ngjeshur drogën, informojnë autoritetet.
Prokuroria Publike e Torinos kërkoi dhe mori vërtetimin e arrestimit, pas së cilës u zbatua masa paraprake e paraburgimit.
