
Policia greke ndaloi dy automjete që po transportonin drogë nga kufiri me Shqipërinë drejt brendësisë së vendit; mes të arrestuarve edhe një 26-vjeçare.
Një tjetër aksion i suksesshëm antidrogë është zhvilluar në kufirin mes Shqipërisë dhe Greqisë, ku forcat e policisë greke kanë sekuestruar mbi 42 kilogramë kanabis. Operacioni është zhvilluar nga Njësia e Narkotikëve e Departamentit të Hetimeve Kriminale të Kastorias, pas një hetimi të gjatë dhe përdorimit të të dhënave operative që çuan në zbulimin e dy automjeteve të dyshuara për trafikim lëndësh narkotike.
Sipas burimeve policore, automjetet që po lëviznin në një zonë malore pranë Kosturit nuk iu bindën urdhrave të ndalimit dhe tentuan të largoheshin me shpejtësi. Pas një ndjekjeje intensive, oficerët gjetën në një zonë pyjore dy çanta të braktisura që përmbanin 39 pako marijuane, me një peshë totale prej 42 kilogramë e 869 gramë.
Hetimet zbuluan se mjetet po lëviznin në koordinim me njëri-tjetrin, duke transportuar drogën drejt rajonit të Kozanit. Gjatë operacionit u arrestuan katër persona, tre burra të moshave 24, 29 dhe 44 vjeç dhe një grua 26-vjeçare, të gjithë shtetas grekë.
Dy prej tyre, një 24-vjeçar dhe 26-vjeçarja që drejtonin njërin nga automjetet, u ndaluan fillimisht në zonën e Kozanit. Pak orë më vonë, policia arriti të lokalizojë edhe mjetin e dytë që vepronte si mbështetës në transport, ku ndodheshin dy bashkëpunëtorët e tjerë.
Në përfundim të operacionit, u sekuestruan dy automjete, katër telefona celularë, katër karta SIM dhe sasia e plotë e drogës. Vlera e tregut e lëndës narkotike, sipas autoriteteve greke, llogaritet rreth 686 mijë euro.
Sipas policisë, hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse droga kishte origjinë shqiptare dhe nëse pas saj fshihen rrjete të organizuara të trafikimit ndërkufitar që operojnë në linjën jugore të Shqipërisë.