Policia e Shtetit zhvillon një aksion të gjerë në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme; 10 persona përfundojnë në pranga dhe mbi 120 të tjerë nën hetim.
Policia e Shtetit ka zhvilluar gjatë 24 orëve të fundit një operacion të gjerë të koduar “Hapësirat publike”, me qëllim çlirimin e zonave të pushtuara në mënyrë të paligjshme dhe ndëshkimin e atyre që i kanë shfrytëzuar për përfitime ekonomike.
Në kuadër të këtij aksioni janë goditur gjithsej 133 raste në të gjithë vendin, ku 10 persona janë arrestuar dhe 123 të tjerë janë proceduar penalisht. Subjektet e përfshira kishin zaptuar trotuare apo hapësira të tjera publike, të kthyer në lavazhe dhe parkime private, pa asnjë leje apo regjistrim në organet tatimore.
Vetëm në Tiranë janë evidentuar 78 raste, duke përfshirë të gjitha llojet e shkeljeve, nga pushtimi i hapësirave deri te parkimet e paligjshme që pengojnë qarkullimin. Rastet e tjera janë shpërndarë në qytetet kryesore si Shkodër, Lezhë, Korçë, Fier, Vlorë, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër.
Gjatë kontrolleve janë konstatuar gjithashtu 45 raste parkimesh të gabuara që pengonin qarkullimin e lirë të automjeteve dhe qytetarëve, si dhe 3 raste të punësimit të paligjshëm.
Operacioni, ku morën pjesë strukturat e Hetimit Ekonomik, patrullat e përgjithshme dhe forcat “Shqiponja”, është zhvilluar në bashkëpunim me Policitë Bashkiake dhe do të vijojë me të njëjtin intensitet në ditët në vijim.
Policia e Shtetit ka bërë apel për qytetarët dhe bizneset që të respektojnë hapësirat publike dhe ligjet në fuqi, duke paralajmëruar masa ndëshkuese për këdo që pengon të drejtën e përbashkët të përdorimit të këtyre zonave.
