
Një nga rrjetet më të mëdha të trafikut ndërkombëtar të drogës është shkatërruar pas një operacioni të përbashkët mes policisë spanjolle dhe autoriteteve kolumbiane, duke çuar në sekuestrimin e 10 tonë kokainë dhe arrestimin e pesë personave të dyshuar.
Operacioni, i zhvilluar paralelisht në Spanjë dhe Kolumbi, zbuloi një organizatë kriminale që kishte ngritur një sistem të sofistikuar logjistik për kontrabandimin e sasisë kolosale të drogës drejt Evropës. Tre prej të arrestuarve u kapën në Spanjë, ndërsa dy të tjerë në Kolumbi, pas shtatë bastisjeve të sinkronizuara në disa lokacione.
Sipas autoriteteve, rrjeti trafikonte mesatarisht mbi 120 tonë kokainë në vit, duke përdorur rrugë detare përmes porteve të Holandës, Belgjikës dhe Spanjës. Hetuesit thonë se organizata kishte lidhje të drejtpërdrejta me grupin famëkeq kolumbian “Clan del Golfo”, një prej strukturave më të fuqishme në tregtinë globale të narkotikëve.
Trafikantët përdornin kompani të rreme import-eksporti dhe metoda të koduara komunikimi për të fshehur gjurmët e tyre. Sipas burimeve zyrtare, zbërthimi i mesazheve të enkriptuara nga aplikacioni SkyECC ka qenë kyç në identifikimin e udhëheqësve të rrjetit dhe zbardhjen e itinerareve të drogës.
Policia spanjolle e ka cilësuar këtë goditje si një nga më të mëdhatë të dekadës, duke theksuar se hetimet po vazhdojnë për të zbuluar lidhjet e tjera financiare dhe bashkëpunëtorët në vende të ndryshme të Evropës dhe Amerikës Latine.