Policia sekuestron mbi 9 kilogramë lëndë narkotike, armë dhe pajisje ndihmëse; dyshohet për rrjet shpërndarjeje në disa qytete të vendit
Një operacion i koduar “Alfa”, zhvilluar nga Policia e Beratit në bashkëpunim me Forcën Operacionale të Vlorës dhe nën drejtimin e Prokurorisë, ka çuar në arrestimin e një 27-vjeçari nga Vlora, i identifikuar si Arion Sherifi.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, efektivët e policisë sekuestruan 1.5 kilogramë kokainë, 7.5 kilogramë kanabis, një peshore elektronike për ndarjen e dozave, municion luftarak, një elektroshok dhe një telefon celular që dyshohet se përdorej për komunikime me bashkëpunëtorë.

Hetimet, që kishin nisur prej disa muajsh me metoda speciale, zbuluan se Sherifi ishte pjesë e një rrjeti shpërndarësish që operonte në zonën e Beratit dhe qytete të tjera të Shqipërisë. Sipas burimeve hetimore, droga ishte e ndarë në doza dhe gati për shitje në tregun lokal.
Operacioni “Alfa” konsiderohet një nga goditjet më të rëndësishme të muajve të fundit ndaj trafikut të lëndëve narkotike në jug të vendit. Policia po vijon hetimet për të identifikuar dhe arrestuar personat e tjerë të përfshirë në këtë rrjet.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë në Berat për veprime të mëtejshme.
