Në Manzë bien në prangat e policisë dy shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, të dyshuar si pjesë e një rrjeti të trafikut të lëndëve narkotike
Dy vëllezër nga fshati Manzë i Durrësit janë arrestuar gjatë një operacioni të përbashkët të Policisë Shqiptare dhe Interpol Tiranës, pas një kërkimi ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane. Operacioni, i koduar “Brothers”, çoi në kapjen e Ergis Hoxhës, 32 vjeç, dhe Arbin Hoxhës, 34 vjeç, të cilët akuzohen nga Gjykata e Breshias si pjesë e një organizate kriminale që merrej me trafikimin e lëndëve narkotike drejt Italisë.
Sipas policisë, arrestimi u realizua pas një sërë veprimesh të koordinuara në terren, të bazuara në të dhëna operative dhe shkëmbim informacioni me partnerët ndërkombëtarë. Forcat e rendit kanë ndërhyrë në banesën e tyre në Manzë, ku të dy u kapën pa rezistencë.
Hetimet e autoriteteve italiane i lidhin vëllezërit Hoxha me një grup të strukturuar kriminal që ka vepruar në rajonin e Breshias, duke transportuar dhe shpërndarë sasi të konsiderueshme droge.
Pas arrestimit, të dy shtetasit janë shoqëruar në komisariat dhe po mbahen nën masë sigurie në pritje të procedurave për ekstradimin e tyre drejt Italisë.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po finalizon dokumentacionin për dorëzimin e tyre në autoritetet italiane, ndërsa hetimet vijojnë për të identifikuar bashkëpunëtorë të tjerë të mundshëm në Shqipëri dhe jashtë vendit.
