
Policia zbulon aktivitetin në apartamente me qira ditore në bulevardin “Zogu i Parë”; sekuestruar para të dyshuara nga veprimtaria e paligjshme.
Policia e Tiranës ka vënë në pranga një 25-vjeçar me shtetësi braziliane, i dyshuar se organizonte dhe përfitonte nga shfrytëzimi i prostitucionit të një 24-vjeçareje bashkëkombëse, në ambiente të marra me qira ditore. Gjatë kontrollit në një banesë pranë bulevardit “Zogu i Parë”, u gjetën të ardhura në para, që dyshohen të përfituara nga kjo veprimtari.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Daily rent”, u arrestuan në flagrancë:
A. M., 25 vjeç (brazilian), për veprën penale “Shfrytëzimi i prostitucionit”;
G. C., 24 vjeçe (braziliane), për veprën penale “Prostitucioni”.
Po ashtu, u proceduan penalisht shtetasit R. P., 22 vjeç, dhe E. K., 20 vjeç, në lidhje me rrethanat e çështjes. Materialet hetimore i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.