
Policia vendos në pranga Jurxhini Sadën, autorin e dytë të ngjarjes kriminale të 1 qershorit
Policia e Matit ka finalizuar me sukses fazën e dytë të operacionit të koduar “Firemen”, duke arrestuar një tjetër të dyshuar për ngjarjen e rëndë të ndodhur më 1 qershor 2025 në qytetin e Burrelit, ku një automjet u dogj qëllimisht.
I ndaluari është Jurxhini Sada, 25 vjeç, banues në Burrel, i cili akuzohet se ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në djegien e makinës së një 30-vjeçari.
Pas një periudhe të gjatë kërkimesh, shërbimet e policisë bënë të mundur lokalizimin dhe kapjen e tij, duke e çuar hetimin për ngjarjen drejt finalizimit.
Autoritetet konfirmuan se vijojnë procedurat ligjore për të dyshuarit e tjerë të përfshirë, ndërsa po hetohen edhe pistat mbi motivet e djegies së automjetit.