
Një 38-vjeçar u kap në flagrancë duke lëvizur i armatosur në fshatin Luz të Krujës; në pranga ranë edhe dy pasagjerët që ndodheshin me të.
Një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje është goditur nga Policia e Tiranës në kuadër të operacionit të koduar “Flagranca 3”, që u zhvillua mëngjesin e sotëm në fshatin Luz të Krujës.
Gjatë kontrolleve rutinë në terren, forcat “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, ndaluan një automjet që lëvizte në mënyrë të dyshimtë. Pas verifikimeve, në sediljen e shoferit u gjet një armë zjarri e tipit pistoletë me municion luftarak, e mbajtur pa leje.
Në pranga përfundoi E. M., 38 vjeç, banues në Luz, i cili dyshohet se ishte poseduesi i armës. Bashkë me të u arrestuan edhe E. D., 34 vjeç dhe I. D., 39 vjeç, pasagjerë në të njëjtin automjet, pasi nuk denoncuan posedimin e armës dhe dyshohet se kishin dijeni për të.
Policia njofton se arma është sekuetruar si provë materiale, ndërsa të tre personat po hetohen për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim të krimit.
Materialet janë dërguar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse arma ishte përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.
Operacioni “Flagranca 3” është pjesë e fushatës së policisë për parandalimin e lëvizjes së personave të armatosur dhe forcimin e sigurisë publike në qarkun e Tiranës dhe të Durrësit.