
Policia zbarkon në malësitë e Shkodrës me aksionin më të madh antikanabis të këtij viti; drejtues vendorë nën akuzë për shpërdorim detyre pas zbulimit të parcelave të mbjella me bimë narkotike.
Një tjetër operacion i gjerë antikanabis ka goditur qarkun e Shkodrës, ku policia ka zbuluar dhe asgjësuar mbi 4200 bimë narkotike të dyshuara të llojit Cannabis Sativa, në disa zona malore të veriut të vendit. Aksioni, i koduar “Koordinata”, është zhvilluar në bashkëpunim mes strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe komisariateve përkatëse, duke përfshirë një territor të gjerë që përfshin njësitë administrative Pult, Ana e Malit, Shosh, Shalë, Shkrel dhe Temal.
Gjatë operacionit, janë gjetur 4107 bimë në zonat e thella të Dukagjinit, ndërsa pjesa tjetër në Malësinë e Madhe dhe Vau të Dejës. Bimët ishin mbjellë në terrene të vështira malore, larg rrugëve kryesore, duke u përpjekur t’i shmangeshin syrit të policisë.
Pas zbulimit të parcelave, pesë kryetarë fshatrash janë proceduar penalisht për shpërdorim detyre, pasi dyshohet se kanë mbyllur sytë përballë kultivimeve të paligjshme që ndodheshin në territorin që ata administrojnë. Në listën e personave të proceduar janë:
L. L., kryetar i fshatit Nënmavriq
D. V., kryetar i fshatit Pecaj
P. Sh., kryetar i fshatit Gimaj
N. M., kryetar i fshatit Abat
P. S., kryetar i fshatit Lekaj
Policia theksoi se operacioni është pjesë e një strategjie të re për ndalimin e kultivimit të drogës në veri, me përdorimin e dronëve dhe koordinatave GPS për të identifikuar çdo parcelë të dyshuar.
“Koordinata” konsiderohet si aksioni më i gjerë antikanabis i këtij sezoni, dhe pritet të zgjerohet në të gjitha njësitë e qarkut Shkodër. Ndërkohë, vijojnë hetimet për identifikimin e kultivuesve dhe rrjeteve që qëndrojnë pas këtyre plantacioneve, të cilat mendohet se ishin destinuar për tregjet e huaja.
Policia deklaron se askush nuk do të mbetet i paprekur, ndërsa mesazhi është i qartë: çdo zyrtar që mbyll sytë ndaj krimit, do të mbajë përgjegjësi para ligjit.