
Një skulpturë e thjeshtë prej druri, dhuruar ambasadorit amerikan në Moskë në vitin 1945, u kthye në një nga historitë më të pabesueshme të spiunazhit gjatë Luftës së Ftohtë.
Në prag të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, një grup skautësh rusë i dhuruan ambasadorit amerikan në Moskë, W. Averell Harriman, një kopje madhështore të Vulës së Madhe të Shteteve të Bashkuara, gdhendur me dorë në dru. Dhurata u prezantua si simbol miqësie mes dy vendeve aleate. Harriman, i kënaqur me gjestin, e vendosi menjëherë në rezidencën e tij zyrtare, “Spaso House”.
Askush nuk mund ta kishte imagjinuar se pas asaj vepre artistike fshihej një sekret i jashtëzakonshëm. Brenda saj ndodhej një pajisje përgjimi e quajtur më vonë nga amerikanët “The Thing” (Gjëja), që do të dëgjonte për vite me radhë bisedat e diplomatëve amerikanë pa u zbuluar. Pajisja funksionoi në heshtje për shtatë vjet, nga 1945 deri më 1952, duke u konsideruar më vonë si një nga truket më të zgjuara të historisë së spiunazhit, krahasuar me “Kalin e Trojës” të mitologjisë greke.
“The Thing” nuk kishte bateri, elektronikë apo elementë që mund të zbuloheshin nga sistemet e kundërzbulimit. Ajo aktivizohej vetëm kur një antenë radioje sovjetike afër ambasadës lëshonte një valë me frekuencë të lartë, e cila reflektonte vibrimet e zërit brenda dhomës ku ndodhej vula. Për këtë arsye, pajisja ishte praktikisht e padukshme.
Sekreti u zbulua rastësisht në vitin 1951, kur një operator britanik radioje në Moskë dëgjoi biseda diplomatike amerikane në një frekuencë të panjohur. Vetëm atëherë, pas një kërkimi tre-ditor në Spaso House, teknikët amerikanë gjetën burimin, dhuratën e viteve më parë, e varur në murin e ambasadorit.
Pajisja ishte krijuar nga shpikësi rus Léon Theremin, i njohur si autori i instrumentit të parë elektronik muzikor në botë, theremin-it. Një gjeni i teknologjisë dhe muzikës, Theremin kishte përfshirë parimet e vibrimit dhe rezonancës akustike në këtë mjet të sofistikuar përgjimi.
Pas zbulimit, incidenti u mbajt sekret për gati një dekadë. Vetëm në vitin 1960, pasi një avion spiun amerikan U-2 u rrëzua mbi territorin sovjetik, qeveria amerikane vendosi ta bëjë publik rastin për të provuar se edhe Bashkimi Sovjetik merrej me spiunazh të fshehtë. Në një mbledhje të Këshillit të Sigurimit në OKB, përfaqësuesi amerikan Henry Cabot Lodge tregoi vulën e gdhendur, e cila ishte shndërruar në një armë të heshtur të luftës së informacionit.
Ekspertët e kundërzbulimit britanik dhe amerikan e përshkruan më vonë pajisjen si një përzierje midis një ore zvicerane dhe një mikrometri, duke vlerësuar saktësinë e pabesueshme të krijimit. Sot ajo konsiderohet si pararendësja e teknologjisë moderne të përgjimeve.
Rasti i “The Thing” tregoi se arti mund të përdoret si mjet spiunazhi po aq efikas sa çdo armë ushtarake. Si në një roman të vërtetë spiunazhi, një simbol miqësie u shndërrua në një nga mashtrimet më të ndërlikuara të Luftës së Ftohtë dhe një dëshmi se edhe bukuria artistike mund të fshehë heshturazi veshët e pushtetit.