Operacioni “Rrjeta” i Policisë së Beratit çoi në pranga 49-vjeçarin Armando Pjetri, të dënuar në Napoli për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Arrestohet edhe personi që e kishte strehuar në Kuçovë.
Policia e Beratit ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Rrjeta”, duke arrestuar 49-vjeçarin Armando Pjetri, një person i kërkuar ndërkombëtarisht nga drejtësia italiane. Ai ishte shpallur në kërkim pas një vendimi të Gjykatës së Apelit në Napoli, që e kishte dënuar me 29 vite burg për trafik droge dhe përfshirje në organizatë kriminale.
Gjatë operacionit, efektivët e policisë zbuluan se Pjetri fshihej në një banesë në qytetin e Kuçovës. Aty u arrestua edhe 53-vjeçari A. H., që dyshohet se i kishte ofruar strehim të kërkuarit dhe merrej gjithashtu me prodhim e shitje të lëndëve narkotike.
Në banesën ku ndodhej Pjetri, policia gjeti dhe sekuestroi një sasi kanabisi, që shërben si provë materiale në hetim. Operacioni u zhvillua nga Drejtoria Vendore e Policisë Berat, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kuçovë, Forcën e Posaçme Operacionale dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Beratit.
Aktualisht, Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën për procedurat e ekstradimit të 49-vjeçarit drejt Italisë, ndërsa materialet për dy të arrestuarit janë dërguar në Prokurorinë e Beratit për veprime të mëtejshme.
