Një operacion i befasishëm i Policisë së Tiranës ka çuar në zbulimin e një baze të armatosur në zemër të kryeqytetit. Furgoni i dyshimtë u ndalua në rrugën “Myslym Shyri”, ku brenda tij u gjetën dhjetëra armë, municione dhe pajisje të sofistikuara.
Një arsenal i vërtetë armësh është zbuluar në Tiranë pas një operacioni të zhvilluar nga Sektori i Krimeve të Rënda në bashkëpunim me Komisariatin nr. 2, nën drejtimin e Prokurorisë së kryeqytetit.
Operacioni, i koduar “The Van”, u finalizua paraditen e sotme pas informacioneve operative për një furgon që përdorej si strehë e një baze të dyshuar për trafik armësh. Gjatë kontrollit, policia gjeti brenda automjetit dhjetëra armë të gatshme për përdorim, municione luftarake, pajisje shpërthyese dhe uniforme të ngjashme me ato të Policisë së Shtetit.
Në pranga ka rënë 34-vjeçari E. S., banues në Tiranë, i cili dyshohet se ishte poseduesi i armëve, ndërsa dy persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Nga kontrollet rezultoi se në furgon ndodheshin 12 pistoleta të markave të njohura si “Glock”, “Beretta” dhe “Ruger”, 6 automatikë, 5 armë snajper me shënjestër optike, 1 silenciator, 17 krehra municioni dhe mbi 15 mijë fishekë. Gjithashtu, policia zbuloi 12 celularë, pajisje për shpërthime në distancë, pajisje për bllokim valësh, GPS gjurmuese dhe tre komplete uniformash identike me ato të forcave të rendit.
Sipas burimeve të hetimit, pajisjet e sekuestruara mund të jenë përdorur për qëllime kriminale, përfshirë atentate të mundshme apo veprimtari të organizuara. Hetuesit nuk përjashtojnë lidhje me grupe kriminale brenda dhe jashtë vendit.
“Ky është një nga zbulimet më të mëdha të armëve në vitet e fundit në Tiranë,” thanë burime policore, duke shtuar se hetimet po shtrihen edhe në disa qarqe të tjera.
Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për akuzat e “Trafikimit të armëve dhe municioneve” dhe “Mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.
Policia ka ngritur disa pista hetimore për të zbuluar rrjetin që qëndron pas këtij arsenali dhe qëllimin e saktë të mbajtjes së armëve në zemër të kryeqytetit.
