

Në orën 11:00 të paradites së sotme pritet të zhvillohet mbledhja e Konferencës së Kryetarëve, e thirrur nga kreu i Kuvendit, Niko Peleshi. Takimi ka për qëllim plotësimin e vendeve vakante në 11 komisionet e përhershme parlamentare, për t’i dhënë fund bllokimit të punës së tyre.
Mbledhja vjen në një moment tensionesh politike, vetëm disa ditë pasi Partia Demokratike depozitoi një kërkesë për shkarkimin e Peleshit. Demokratët e akuzojnë atë për qëndrim të njëanshëm në seancën e fundit plenare, duke favorizuar maxhorancën socialiste dhe kryeministrin Edi Rama, ndërsa opozita nuk mori fjalën.
Nga ana tjetër, PD ka përcaktuar emrat për drejtimin e katër komisioneve që i takojnë asaj dhe për postet e nënkryetarëve në disa komisione të drejtuara nga socialistët, por listat nuk janë dërguar zyrtarisht në Kuvend. Deri tani janë miratuar vetëm drejtuesit e mazhorancës, çka ka lënë komisionet gjysmë të funksionalizuara.
Sot pritet të vendoset nëse ky ngërç do të zhbllokohet, teksa opozita vijon të këmbëngulë për largimin e kryeparlamentarit Peleshi.