Presidenti amerikan Donald Trump është pyetur nëse është i përgatitur t’i japë Hungarisë një përjashtim nga detyrimi për blerjen e naftës ruse.
Nafta ruse është e vetmja fushë ku aleatët Trump dhe Orban kanë pasur dallime, me presidentin amerikan që i kërkon Evropës të heqë dorë nga varësia e saj nga Moska për energji.
Por Budapesti ka kundërshtuar planet e Komisionit Evropian për të ndërprerë gradualisht importet e të gjithë gazit rus deri në fund të vitit 2027.
Muajin e kaluar, Trump u tha gazetarëve se Orban ka “kërkuar një përjashtim” për blerjen e naftës ruse.
“Po e shqyrtojmë,” u shpreh Trump, duke nënkuptuar se mund të ketë një lehtësim për Budapestin.
“Është shumë e vështirë për Hungarinë që të marrë naftë dhe gaz nga zona të tjera… ata nuk kanë det, nuk kanë porte dhe kështu kanë një problem të vështirë. Kur shikon se çfarë ka ndodhur me Evropën, shumë prej këtyre vendeve, ato nuk i kanë këto probleme dhe blejnë shumë naftë dhe gaz nga Rusia dhe, siç e dinë, jam shumë i shqetësuar nga kjo”, tha Trump.
Nga ana tjetër, Orban tha se do të “shpjegojë qartë se cilat do të ishin pasojat për popullin hungarez dhe për ekonominë hungareze nëse nuk do të merrte naftë dhe gaz nga Rusia”.
“Ne furnizohemi nga tubacionet, nuk është një çështje ideologjike apo politike, është një realitet fizik sepse nuk kemi mundësi ta përballojmë atë”, tha ai.
