Fituesi i “Strictly Come Dancing” ka treguar publikisht për herë të parë se po trajtohet për varësi nga pornografia, një problem që, siç thotë ai, e ka ndjekur që në moshën nëntëvjeçare.
Moderatori dhe prezantuesi britanik Ore Oduba ka befasuar publikun me rrëfimin e tij më personal deri më tani. Në një intervistë në podcastin “We Need To Talk” me Paul Brunson, ai ka treguar se po ndjek terapi profesionale për të luftuar varësinë nga pornografia, një problem që, sipas tij, nisi që në fëmijëri.
“Ky është momenti më i vështirë i jetës sime, por e ndjej që duhet ta bëj për fëmijët e mi dhe për prindërit që nuk duan që fëmijët e tyre të bien në të njëjtin kurth,” tha Oduba. “Ky është momenti kur fillon pjesa tjetër e jetës sime.”
Artisti, 39 vjeç, rrëfeu se ishte vetëm nëntë vjeç kur u ekspozua për herë të parë ndaj imazheve për të rritur, përmes një kompjuteri në shtëpinë e një shoku. Ai tha se ndjenja e turpit e bëri ta mbante të fshehtë për vite me radhë, duke e shndërruar sjelljen në një varësi që ndikonte në mënyrën si perceptonte marrëdhëniet dhe vetveten.
“Kur ndihesha i pavlerë apo i refuzuar, gjithmonë kthehesha tek ajo. Ishte mënyra ime për të ikur nga realiteti,” tha ai, duke shtuar se tani dëshiron ta thyejë ciklin për të qenë një model më i mirë për fëmijët e tij.
Oduba, që më parë ka punuar si prezantues në CBBC dhe fitoi “Strictly Come Dancing” në vitin 2016, ka folur shpesh për sfidat personale pas ndarjes nga bashkëshortja e tij në vitin 2024 dhe humbjen e babait në 2023.
Sipas tij, problemi i varësisë nga pornografia është shumë më i përhapur se ç’mendohet. “Kur 60% e fëmijëve ekspozohen rastësisht ndaj përmbajtjeve të tilla në internet, duhet të kuptojmë që kemi një problem shoqëror. Nëse nuk flasim, ata do të mësojnë vetë, në mënyrën më të gabuar të mundshme,” paralajmëroi ai.
Organizata “The Naked Truth” e vlerësoi Odubën për guximin e tij duke thënë se rrëfimi i tij është një hap i rëndësishëm për të thyer tabunë që rrethon këtë temë dhe për të hapur dialog mbi shëndetin mendor dhe seksual të brezave të rinj.
