
Fluturimi misterioz me 153 civilë, pa dokumente, zbulon një skemë të dyshuar të koordinuar me autoritetet izraelite
Një avion charter me 153 palestinezë nga Gaza u ul në Afrikën e Jugut, duke lënë autoritetet vendase të habitura dhe të papërgatitura. Pjesa më e madhe e udhëtarëve nuk kishte dokumentet e nevojshme të udhëtimit, ndërsa askush nuk dinte të shpjegonte se kush i kishte organizuar dhe financuar lëvizjen e tyre. Pas më shumë se 12 orësh peng, grupi u lejua të zbriste vetëm pasi një organizatë lokale bamirëse u ofrua t’i strehojë.
Në qendër të kësaj skeme që tani po trondit opinionin publik është Al-Majd Europe, një organizatë me profil të paqartë, një faqe interneti të sapokrijuar dhe pa adresë reale, e cila dyshohet se po operon në bashkëpunim me autoritetet izraelite për të nxjerrë palestinezët jashtë Gazës, kundrejt pagesave të larta.
Sipas hetimit të gazetës izraelite Haaretz, Al-Majd Europe drejtohet nga Tomer Janar Lind, një shtetas izraelito-estonez që dyshohet se ka punuar me një njësi të Ministrisë së Mbrojtjes së Izraelit të quajtur “Byroja e Emigrimit Vullnetar”, një strukturë e ngritur në vitin 2025 me misionin për të lehtësuar largimin e palestinezëve nga Gaza.
Palestinezët që udhëtuan me avionin misterioz pohuan se kishin paguar nga 1,400 deri në 2,000 dollarë për person, duke mos ditur as destinacionin final. Shumica u morën me autobusë nëpërmjet pikës Karem Abu Salem dhe u transportuan në aeroportin izraelit Ramon, pa asnjë vulë zyrtare në dokumente.
Faqja zyrtare e Al-Majd Europe ngre dyshime të mëdha: domeni është regjistruar vetëm në shkurt 2025, shumë lidhje nuk funksionojnë, informacionet janë kontradiktore dhe fotot e përdorura janë vjedhur nga media të tjera. Për më tepër, të gjitha pagesat janë kërkuar përmes llogarive personale, jo institucionale.
Autoritetet palestineze në Afrikën e Jugut e quajtën organizatën “mashtruese dhe të pa regjistruar”, duke akuzuar direkt se shfrytëzon tragjedinë e Gazës për qëllime të errëta.
Haaretz raporton se ky nuk ishte rasti i parë: një tjetër fluturim i ngjashëm u krye në maj, ndërsa një tjetër avion me 170 palestinezë mbërriti në Afrikën e Jugut në fund të tetorit.
Ndërkohë, autoritetet e Afrikës së Jugut po hetojnë nëse këto operacione janë pjesë e një strategjie të re për ndryshimin demografik të Gazës, një akuzë që shumë studiues dhe aktivistë e konsiderojnë si pjesë të një politike koloniale të re.
Zyrtarët palestinezë paralajmërojnë se palestinezët po mashtrohen, po paguajnë shuma të mëdha dhe po largohen në kushte të pasigurta, pa garanci për të ardhmen. Ndërkohë, shumë prej tyre as nuk e dinë se në cilin vend po shkojnë.
Kjo histori tani po pasurohet me detaje të reja dhe po ngre pikëpyetje alarmuese për rolin e Izraelit, kompanive ajrore, qeverive afrikane dhe organizatave të dyshimta që operojnë në zonat e konfliktit.
