Raporti përfundimtar evidenton përdorimin e burimeve shtetërore nga pushteti dhe presion ndaj punonjësve të administratës, ndërsa garuesit nuk patën kushte të barabarta në fushatë.
Raporti i publikuar nga OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 ngre shqetësime të forta mbi mënyrën se si u zhvillua procesi zgjedhor në Shqipëri. Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, zgjedhjet ishin formalisht konkurruese dhe u administruan në mënyrë profesionale, por atmosfera politike dhe praktikat gjatë fushatës cenonin parimin e barazisë midis kandidatëve.
Raporti thekson se fushata elektorale u zhvillua në një mjedis të thellësisht të polarizuar, ku partia në pushtet shfrytëzoi gjerësisht burimet administrative në favor të kandidatëve të saj. Kjo, sipas OSBE/ODIHR, krijoi një avantazh të padrejtë dhe ndikoi drejtpërdrejt në ekuilibrin e garës politike.
Një tjetër gjetje kritike lidhet me presionin e ushtruar ndaj punonjësve të administratës publike, të cilët raportuan raste intimidimi dhe detyrimi për të mbështetur kandidatët e mazhorancës. Edhe pse kandidatët në përgjithësi kishin mundësi të zhvillonin fushatë lirshëm, vëzhguesit vunë re se klima e frikës dhe ndikimi i strukturave shtetërore kufizuan realisht hapësirën e konkurrencës.
Administrata zgjedhore, nga ana tjetër, u vlerësua për profesionalizmin dhe transparencën në menaxhimin e procesit, përfshirë dhe organizimin e votimit jashtë vendit, që u zbatua për herë të parë. Megjithatë, vonesat në miratimin e rregulloreve dhe disa probleme organizative u theksuan si pengesa që duhen shmangur në proceset e ardhshme.
Një tjetër aspekt i ndjeshëm që nënvizohet në raport është kontrolli i lartë i pronësisë së mediave dhe mungesa e pluralizmit informativ. Dominimi i diskursit publik nga dy forcat kryesore politike, si dhe autocensura në redaksitë mediatike, kanë kufizuar mundësinë e qytetarëve për të marrë informacione të balancuara dhe për të bërë një zgjedhje të ndërgjegjshme.
Në përfundim, OSBE/ODIHR apelon që autoritetet shqiptare të ndërmarrin reforma të thella për të garantuar zgjedhje me kushte të barabarta, transparencë dhe mbrojtje të plotë të votës së lirë, në përputhje me standardet ndërkombëtare të demokracisë.
