
Ambasadori Michel Tarran vlerëson rolin kyç të SPAK në reformën në drejtësi dhe forcimin e besimit publik
Kryetari i Prezencës së OSBE në Shqipëri, ambasadori Michel Tarran, zhvilloi sot një takim me Klodjan Braho, pas zgjedhjes së tij në krye të SPAK.
Gjatë takimit, ambasadori Tarran e përgëzoi Brahon për detyrën e re dhe theksoi rëndësinë thelbësore që SPAK ka në procesin e reformës në drejtësi, si dhe në rritjen e besimit të qytetarëve tek institucionet demokratike të vendit.
Përfaqësuesi i OSBE-së ritheksoi mbështetjen e vazhdueshme të organizatës për SPAK-un, duke përfshirë asistencë për forcimin e kapaciteteve institucionale, këshillim në hartimin e politikave dhe shkëmbim të praktikave më të mira ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Në fokus të diskutimeve ishte edhe bashkëpunimi aktual mes OSBE-së dhe SPAK, si dhe mënyrat konkrete për ta thelluar më tej këtë bashkëpunim, me synim rritjen e efikasitetit të hetimeve dhe forcimin e sundimit të ligjit në Shqipëri.
