Gazetari Osman Stafa ka ngritur sot një alarm të rëndë për mungesën e medikamentit jetik “Avastinë” në Spitalin Onkologjik të Tiranës, duke e përshkruar situatën si një dramë që po i lë pacientët me kancer pa trajtimin e domosdoshëm të kimioterapisë.
Në një reagim publik, Stafa ndau dëshminë e një pacienti që, prej dy javësh, nuk ka mundur të marrë trajtimin për shkak të mungesës së ilaçit. Ai theksoi se “Avastina” është medikament spitalor, që sigurohet vetëm nga Ministria e Shëndetësisë, dhe nuk mund të blihet në farmaci të zakonshme
“Tronditesh kur pacientët me kancer, të dëshpëruar, kërkojnë ‘Avastinë’ nëpër farmacitë e Tiranës. Spitali Onkologjik prej dy javësh nuk e ka këtë medikament. Ndërkohë në treg të zi flitet se kushton 800 euro. Çmenduri!”, shkruan Stafa.
Gazetari akuzon institucionet për braktisjen e të sëmurëve, të cilët – sipas tij – “janë lënë në mëshirë të fatit, pa ilaçe dhe pa shpresë”.
Ai i drejtoi një pyetje të drejtpërdrejtë kryeministrit Edi Rama, duke u shprehur:
“Është kjo pasaporta europiane për këta njerëz? Kërkojnë të luftojnë për të fituar mbi kancerin, por ju po ua mohoni shpresën.”
Derisa autoritetet të reagojnë dhe të rikthejnë furnizimet, dhjetëra pacientë që varen nga ky medikament kritik rrezikojnë ndërprerjen e trajtimit të tyre jetësor.
