

Ceremonia e Topit të Artë 2025 është zhvilluar mbrëmjen e së hënës në Teatrin e Châtelet në Paris, duke kurorëzuar dy emra të mëdhenj të futbollit botëror: Ousmane Dembélé dhe Aitana Bonmatí.
Sulmuesi i Paris Saint-Germain u shpall futbollisti më i mirë i vitit, duke marrë më shumë vota se Lamine Yamal dhe Vitinha. Ky është kulmi i një sezoni të jashtëzakonshëm për francezin, i cili pas një karriere të luhatur shpesh nga dëmtimet, arrin të futet në listën e emrave të mëdhenj që kanë ngritur këtë trofe, krahas idhullit të tij Lionel Messi.
Në kategorinë e futbollit të femrave, spanjollja Aitana Bonmatí nga FC Barcelona realizoi një sukses historik, duke fituar për të tretën herë radhazi çmimin, një arritje e paprecedentë në historinë e Topit të Artë.
Ceremonia solli edhe një tjetër vlerësim për PSG-në: trajneri i skuadrës, Luis Enrique, u shpall trajneri i vitit, duke kompletuar një mbrëmje të artë për klubin parizien.