
Biznesmeni kosovar akuzon për një fushatë të organizuar shpifjesh pas pezullimit të punimeve në aeroportin e Vlorës dhe deklaron se nuk do të tërhiqet nga asgjë që i takon ligjërisht
Pas vendimit të Gjykatës Administrative për të ndaluar çdo veprim të kompanisë “Mabco Constructions SA” në ndërtimin e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës, Behgjet Pacolli ka reaguar me tone të ashpra, duke folur për një komplot të koordinuar kundër emrit të tij në Shqipëri.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Pacolli tha se punimet në aeroport po vijojnë normalisht dhe se vendimi i gjykatës nuk ndikon në ecurinë e projektit, të cilin e përshkroi si një simbol të vizionit modern të qeverisë shqiptare. Ai theksoi se gjithçka po zhvillohet sipas afateve kontraktuale dhe se ndalimi është i përkohshëm.
Megjithatë, në vijim të postimit, biznesmeni kosovar shpërtheu ndaj atyre që sipas tij po e baltosin publikisht: “Çfarë është ky komplot i koordinuar në Shqipëri kundër emrit tim, pikërisht tani që aeroporti po i afrohet përfundimit? Kush po e orkestron këtë fushatë shpifjesh dhe pse?” – shkruan ai.
Pacolli pretendon se ndaj tij po zhvillohet një fushatë e qëllimshme për të dëmtuar reputacionin dhe investimet e tij, ndonëse vetë nuk ka marrë asnjë njoftim zyrtar për ndonjë proces gjyqësor. Ai shton se të gjitha fondet e përdorura për projektin janë 100% private dhe të dokumentuara, pa asnjë financim publik. “Nuk kam marrë asnjë qindarkë nga shteti shqiptar. Çdo investim është bërë nga pasuria dhe puna ime,” shkruan Pacolli, duke e konsideruar padrejtësi faktin që, siç thotë ai, përpjekjet e tij për të lënë një trashëgimi në Vlorë po shoqërohen me përbaltje.
Ai paralajmëron se do t’i përballojë të gjitha sulmet me dokumente dhe me prova ligjore, ndërsa shton; “faktet dhe Zoti janë dëshmitarë të qëllimeve të mia të ndershme”.
Në fund të reagimit, Pacolli ka akuzuar se në media po qarkullojnë artikuj të sponsorizuar dhe teori konspirative nga individë që, sipas tij, kanë përfituar në mënyrë të padrejtë në të kaluarën: “Këto janë njerëz që u kam ndërprerë përfitimet për shkak të abuzimeve. Por drejtësia do ta zbardhë të vërtetën dhe do të veprojë në mënyrë të paanshme,” ka shtuar ai.
Reagimi i Pacollit vjen pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila ka pezulluar çdo vendim të parashikuar në Asamblenë e Përgjithshme të Ortakëve të shoqërisë “Vlora International Airport – VIA” sh.p.k., duke përfshirë edhe ndalimin e ushtrimit të së drejtës së votës nga “Mabco Constructions SA”, deri në përfundimin e procedurave të transferimit të kuotave të kapitalit.
Për momentin, autoritetet nuk kanë dhënë një reagim zyrtar mbi pretendimet e Pacollit, ndërsa saga e aeroportit të Vlorës pritet të vijojë si një nga çështjet më të ndjeshme të marrëdhënies mes investitorëve privatë dhe shtetit shqiptar.